Sekretari për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore në PS, Eridian Salianji, duke folur për ngritjen e Komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, siguroi se mazhoranca është e vendosur për t’i përfunduar sa më parë ndrshimet zgjedhore. Në një intervistë në studion e lajmeve në MCN, ai u ndal te vota e emigrantëve dhe tregoi variantin që preferon PS për përllogaritjen e mandateve të fituara prej tyre.
“Me ndryshimet e fundit ligjore u bë e mundur që emigrantët kanë të drejtë të votojnë. Është e drejta e shprehur në Kodin Zgjedhor. Ne mbetemi të hapur.
Ne kemi qenë promotorë sa i përket votës së emigrantëve. Mundet që emigrantët të kenë numrin e tyre të mandateve. Një opsion tjetër është zgjerimi i Tiranës, duke qenë vetë një zonë migratore. Pra, mbeten pa ndryshuar zonat zgjedhore, por ndryshon numri i mandateve.
Kjo nuk prek reformën territoriale. Thjesht llogaritet në cilin thes futet vota e emigrantëve. Variantet mbeten të hapura”, thotë Salianji.
“Ne kemi kohë që bëjmë thirrje PD-së të sjellë deputetët e saj në përbërjen të komisionit të Reformës Zgjedhore. Për vetë problematikën që tashmë dihet se kjo vonesë ka ardhur nga PD. Shpresojmë që deri këtu të ketë zgjatur vonesa dhe tani të fillojë puna për ndryshimet e Kodit Zgjedhor me konsensus të grupeve parlamentare”, vijoi ai.