Komisionet Online/ Gazment Bardhi: Akt i paprecedentë për t’i mbylllur gojën opozitës

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi e konsideroi një vendim antikushtetues që ka për qëllim t’i mbyllë gojën opozitës atë për mbledhjen e Komisioneve Parlamentare Online.

Bardhi theksoi se brenda ditës së nesërme do të mblidhen të treja grupet parlamentare të opozitës për të marrë një vendim për këtë akt, që Bardhi e konsideroi si “të paprecedentë”.

“Në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës dua të informoj opinionin publik mbi një akt të paprecedentë të pakicës që ka uzurpuar parlamentin në Konferencën e Kryetarëve për t’i mbyllur gojën opozitës. Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të masave të jashtëzakonshme mund të zhvillohen mbledhje online të komisioneve. Mbledhjet e Komisioneve Parlamentare janë shumë herë më të rëndësishme sesa seancat plenare, nëse Parlamenti funksionon në një shtet demokratik. Gjatë gjithë këtyre 8 viteve ne kemi parë një Parlament që është noter i akteve korruptive të qeverisë.Prandaj dhe vendimmarrja për t’i mbyllur gojën opozitës, për t’iu fshehur opinionit publik, mes seancave qesharake online të komisioneve ka synimin e vetëm për t’i ikur përgjegjësisë mbi debatin, diskutimin mbi të gjitha aktet korruptive që qeveria sjell në Parlament. Pa diskutim që kjo është e papranueshme për opozitën”, tha Bardhi.

PRONONCIMI 

Pyetje: Z. Bardhi do të bashkëpunoni me maxhorancën sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe reformës territoriale? Dje ka patur një ftesë nga z. Gjiknuri për opozitën. 

Gazment Bardhi: Së pari duhet të fokusohemi tek kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur sot në Konferencën e Kryetareve. Opozitës po tentohet t’i mbyllet goja në shkelje të rregullores dhe Kushtetutës e në këtë prizëm unë nuk besoj se ky është një parlament që funksionon. Secili prej nesh mund të kryejë reforma që i shërbejnë qytetarëve dhe interesit të qytetarëve.

Në një parlament ku në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit synohet t’i iket syve të publikut, t’i shmangesh transparencës dhe t’i mbyllësh gojën opozitës, pa diskutim që nuk mund të flitet për bashkëpunim, qoftë ky edhe institucional.

Pyetje: Z.Bardhi në dijeninë tuaj sa është numri i deputetëve që nuk janë vaksinuar?

Gazment Bardhi: Unë nuk kam dijeni për këtë. Konferenca e Kryetarëve ka marrë një vendim për t’i udhëzuar deputetët që të vaksinohen. Pa dyshim që kolegët e mi në Konferencën e Kryetarëve e kanë pranuar këtë sugjerim dhe këtë këshillë dhe jemi të gatshëm për t’iu nënshtruar të gjitha rregullave që mbrojnë jetën dhe shëndetin. Por, masa që nuk përputhen me njëra-tjetrën, arbitrare, me forcën e kartonit, është e papranueshme në një vend demokratik.

Më thoni kush është dallimi mes mbledhjes së Këshillit të Ministrave ku marrin pjesë 20 vetë në një sallë dhe mbledhjes së 20 deputetëve në një Komision Parlamentar. Nuk ka asnjë dallim. Është e njëjta procedurë dhe duhet të funksionojë i njëjti rregull.

E njëjta Ministri Shëndetësisë e Edi Ramës i jep leje për të bërë mbledhje me dyer të mbyllura me të njëjtat kushte, ndërsa e njëjta Ministri Shëndetësie na thotë mos u mblidhni në Komisione Parlamentare, mos diskutoni në interes të qytetarëve shqiptarë, mos demaskoni dhe bëni opozitë ndaj akteve korruptive të qeverisë sepse kështu duam ne në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren. Kjo është e papranueshme.
 
Pyetje: Ju nuk keni arritur gjë me bojkot më herët, në rast se bojkotoni edhe një herë Komisionet Parlamentare, çfarë fitoni? Është hedhur si ide bojkoti.

Gazment Bardhi: Unë nuk fola për bojkot, sikur nuk e di se kush e ka hedhur si ide.

Pyetje: Z. Shehu e përmendi në Parlament.

Gazment Bardhi: Z. Shehu shprehu mendimin e tij, ajo që unë deklarova me shumë përgjegjësi është se jam konsultuar me të tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës. Brenda ditës së sotme, maksimumi, brenda ditës së nesërme, do të mblidhen të tre grupet në një mbledhje të përbashkët për të marrë një vendim mbi këtë akt të paprecedentë të kësaj shumice korruptive që kemi në sallën e Parlamentit.