Ditën e djeshme Klubi Letrar Kavajë organizoi takimin e radhës për të diskutuar mbi librin dhe leximin. Takimi i organizuar në ambientet e jashtëme të Muzeut Etnografik nën masa anti- covid19 mblodhi shkrimtarë, mësuese dhe nxënës. Shkrimtari Durim Caca pjesë e takimit ka shkruar “Ne veprimtarine e djeshme te bukur, organizuar me nje perkushtim pasionant, nga Klubi Letrar, Kavaje, per romanin e shquar “Ciklopi”, te romancierit te ri te talentuar, Brajan Sukaj. Thellesia e perceptimit ideacional te kesaj vepre letrare dhe hijeshia e shprehesise, me nje kulture te gjere leximi nga te rinjte dhe pjesemarresit e tjere, gjate diskutimit dhe bashkebisedimit me autorin e pranishem, shperfaqen nje befasi te kendshme dhe nje kenaqesi shpirterore, qe buron prej artit te larte human!”
Ndërkohë Klubi Letrar Kavajë shkruan në njoftimin e saj Kurdoherë Kavaja e ka mbështetur dhe kërkuar lirinë e të ndryshmes, atë liri ku çdokush jeton sipas parimeve të tij dhe mbi supe mban jetën që hyjnorja ia dikton si të drejtë.
Libri ‘Ciklopi’, shkruar nga pena më e re e Kavajës sonë, autori Brajan Sukaj, solli në rradhët e tij, mesazhin e fortë të dashurisë dhe sakrificës së nënës për të rritur mrekullinë e saj, atë mrekulli që u paragjykua si tmerri dhe shkatërrimi i një qyteti të tërë.
Vallë a mund të sjelli kaq shkatërrim e ‘ndryshmja’?!
Mënyra se si ne e shikojmë botën përcakton këndshikimin që bota do të hedhë mbi rrjedhën e jetës sonë citon një filozof ‘i ndryshëm’.
Shkrimtari Sukaj, me fjalën e tij plot eruditizëm, diskutoi me lexuesit e KiLK dhe shpalosi mjeshtërinë dhe artin e gjinisë së shkruar me një oratori ciceroniane.
Tregoi mbi teknikën që ai përdor dhe ecurinë e shkrimeve të tij ndër vite.
Me romanin ‘Ciklopi’, pena e qytetit tonë, tregoi vlerat që mitologjia antike Greke ka trumbetuar ndër shekuj- ”me lindjen e njeriut përcaktohet edhe fati i tij”.
Një roman në të cilin nuk ka emra, nuk ka vendpërcaktime, nuk ka kohë, por ka ngjarje, ngjarje shumëdimensionale që të nxisin reflektimin drejt humanizmit.
Çdo njëri prej nesh në përballjen apo në përqafimin e tij me të ndryshmen, e mira e do që të jetë katërcipërisht human. Nga ky vendim për të qenë human, asnjëherë më nuk do të digjen e mallkohen qytete të tjera./Kavaja.Net/