Klodian Tomorri: Mbyllni Tirana DC-në!

Tirana DC u krijua në tetor të vitit 2020 si shoqëri aksionere me pronare 100 për qind Bashkinë e Tiranës. Kompania u krijua me qëllim që të hynte në biznesin e ndërtimit dhe atij të rindërtimit. Por sot që ka hyrë në vitin e katërt, kompania nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik. E vetmja gjë që ajo bën është djegia e parave të qytetarëve.

Sipas të dhënave nga bilancet zyrtare për vitet 2020,2021 dhe 2022, Tirana DC regjistroi një humbje progresive prej 183 milionë lekë ose 1.8 milionë euro. Këtyre shifrave me shumë gjasë u shtohen dhe 1 milionë euro humbje të tjera në vitin 2023, bilanci i të cilit nuk është bërë ende publik. Pra 3 milionë euro të tretura për një shoqëri praktikisht pa aktivitet, e cila nuk prodhon asnjë vlerë ekonomike apo dobi publike. Tirana DC paguan aktualisht rreth 500 mijë euro në vit rroga për 35 punonjësit e saj. Paralelisht paguan 200 mijë euro të tjera qira në vit për një godinë diku në rrugën Bardhok Biba. Kompania private, e cila i ka dhënë ambientet Tirana DC-së dhe përfiton 200 mijë euro qira në vit është Ed Konstruksion.

Përtej rrogave dhe qirasë së godinës Tirana DC paguan 55 mijë euro në vit qira dhe lizing për automjete, 50 mijë euro në vit trajnime profesionale dhe po kaq të tjera në vit për licenca dhe software IT-je. Tirana DC vetëm humbet para sepse nuk ka asnjë aktivitet ekonomik. Deri më tani humbjet e Tirana DC janë mbuluar me kredi nga Bashkia e Tiranës.

Në vitin 2021, Bashkia e Tiranës i dha 970 mijë euro shoqërisë Tirana DC për të financuar aktivitetin dhe mbuluar humbjet. Në vitin 2022 Bashkia i dha dhe 1 milionë euro të tjera hua po për të financuar aktivitetin dhe mbuluar humbjet. Shifra e 2023-shit nuk dihet ende, ndërkohë që Tirana DC ka filluar të mos paguajë shërbimet dhe madje edhe rrogat. Një shoqëri, e cila nuk kryen asnjë aktivitet ekonomik, por që vetëm humbet ka shumë risk që të shkojë në falimentim. Për rrjedhojë të mos shlyejë më as huatë publike që ka marrë nga Bashkia e Tiranës. Në këtë pikë, Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të kërkojë urgjentisht mbylljen e Tirana DC. Që ajo të mos djegë më paratë e qytetarëve në rroga dhe trajnime për punonjës, të cilët nuk bëjnë asnjë punë. Apo në qira për godina dhe makina./kapitali.al