Kishte emrin në listën e vdekjes së Nuredin Dumanit/ Zbulohet ngjarja ku u përfshi oficeri Krenar Guçe

Pesë ditë më parë, specialisti i Policisë së Shtetit, oficeri i krimeve të rënda, Krenar Guçe është marrë në mbrojtje nga specialët e RES.

Ndaj tij është vendosur mbrojtje e posaçme pas më shumë se dy muajsh nga marrja e dëshmisë së Nuredin Dumanit.

Autoritetet e dhënies së mbrojtjes kanë verifikuar për javë me radhë nëse atij i rrezikohet jeta dhe, mesa duket, janë bindur se ai dhe familja e tij janë në rrezik të vazhdueshëm nëse ndaj tij dhe familjes së tij nuk vihet një mbikëqyrje profesionale për shkak të ekspozimit të tij, ekspozim që në fakt nuk ishte më thjesht brenda telefonit të Dumanit, por ishte një informacion i shpërndarë edhe në opinion publik.

Guçe, i cili ka shërbyer në sektorin e vrasjeve dhe të antidrogës, mësohet se u rikthye në zyrën e hetimit të Krimeve të Elbasanit rreth 3 javë pas masakrës së votave në Elbasan, me një të vrarë e 4 të plagosur.

Ishte Ardi Veliu që nënshkroi largimin e shefit të krimeve të kësaj drejtorie, për ta çuar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Lezhës natën e vrasjes së Everest Çaçës, për shkak se për pak ditë Elbasani u trondit nga tri ngjarje të rënda.

 

Askush nuk di të thotë se në çfarë kohe e ka marrë porosinë e vrasjes së oficerit të krimeve Dumani, por në lidhje me atë fakt tronditës, Policia e Shtetit mori masa shumë vonë.

Referuar burimeve nga grupi hetimor, bëhet me dije se disa muaj më parë, oficeri i Policisë, fotoja e të cilit u gjend në telefonin e Dumanit, si një person që duhej eliminuar për llogari të Erion Alibejt, u përfshi në një aksident të rëndë.

Aksidenti ndodhi në muajin nëntor dhe punonjësi i Policisë qëndroi një kohë të gjatë në spital, një ngjarje që sërish nuk u raportua nga Policia e Shtetit dhe as nga ajo lokale, që në rastin konkret i përkiste Elbasanit.

Edhe pse nuk dihen rrethanat e atij aksidenti, SPAK e ka thirrur oficerin për ta pyetur për një sërë dyshimesh dhe faktesh, ndërkohë që ende nuk dihet se cila ka qenë kontrata që Dumani ka bërë me Alibejn për ta ekzekutuar punonjësin e Policisë që arrestoi dhe i mori dëshminë Euglen Halilit, të penduarit tjetër të “ushtrisë së vrasësve me pagesë” që kanë jetuar, vepruar dhe vrarë qetësisht në vendin tonë, pa u trazuar nga askush.