Këshillimi Kombëtar u kushtoi shqiptarë 400 milionë lekë! Zbardhet shuma e paguar për fletushka dhe pyetësorë. Qeveria shpërdoroi fondin rezervë të buxhetit të shtetit

KELMENT BAÇI/ Programi i Këshillimit Kombëtar, ku qytetarët dhanë mendimin e tyre për 12 pyetjet e qeverisë, u ka kushtuar shqiptarëve plot 400 milionë lekë të vjetër. Shuma është bërë publike, pasi qeveria ka depozituar në Kuvend raportin periodik, mbi përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit deri në fund të dhjetorit 2021.

Nga të dhënat, rezulton se qeveria i ka akorduar Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje plot 40 milionë lekë të rinj për organizimin e Këshillimit Kombëtar.

Konkretisht, të tabelën e shpenzimeve të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, ndonëse ai përdoret vetëm për rastet e fatkeqësive natyrore dhe gjendjeve të emergjencës, Kryeministri ka autorizuar pagesën e shumës së konsiderueshme. Konkretisht, për VKM nr. 813, datë 24.12.2021, “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Agjencinë për Dialog e Bashkëqeverisje për financimin e programit të Këshillimit Kombëtar”, për 40 milionë lekë, e cila është ekzekutuar.

Kujtojmë që qeveria zhvilloi nga 19 janari deri në 31 mars Këshillimin Kombëtar me një pyetësor me 12 pyetje, për të cilat qytetarët do të jepnin mendimin e tyre. Plot 400 milionë lekë të vjetër janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për fletushka apo organizime në qendrat e qyteteve ku qytetarët ndalonin për të plotësuar formularët. Sipas të dhënave të Kryeministrisë, në Këshillimin Kombëtar morën pjesë 563,195 qytetarë, të cilët plotësuan formularin dhe 9,447 pyetësorë rezultuan të pavlefshëm.

Nga 12 pyetje, në 11 prej tyre qytetarët votuan pro, duke përfshirë kultivimin e kanabisit të kontrolluar nga shteti për qëllime mjekësore te “Ballkani i Hapur”.

Qytetarët votuan kundër në formular vetëm ndaj vendosjes me detyrim të paraqitjes së certifikatës së vaksinimit në të gjitha hapësirat e mbyllura dhe në tubimet e mëdha. Po ashtu, 308 mijë qytetarë kanë votuar pro legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, 148 mijë kundër, teksa 51 mijë nuk kanë mendim.

Në Këshillimin Kombëtar, shqiptarët u pyetën edhe për amnistinë e kursimeve të emigrantëve, apo ajo që tani po njihet si amnistia fiskale, në të cilën 332 mijë, apo 66 për qind e atyre që e plotësuan formularin, votuan pro, 120 mijë kundër dhe 53 mijë nuk e dinin. Megjithatë, qeveria nuk e ka publikuar asnjëherë shifrën e shpenzuar nga buxheti i shtetit për Këshillimin Kombëtar, duke e mbajtur atë sekret.

Qeveria, 450 milionë lekë për avokatin dhe çështjen “Tershana”

Qeveria shqiptare ka shpenzuar gjatë vitit 2021 rreth 450 milionë lekë për shkak të pjesëmarrjes së saj si e paditur në gjyqet ndërkombëtare të Arbitrazhit. Nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, rezulton se në vitin e kaluar janë paguar 18 milionë lekë të vjetër për çështje “Tershana” kundër Shqipërisë. “VKM nr. 78, datë 10.02.2021, ‘Për ekzekutimin e VGJE për të drejtat e njeriut, dt 4.08.2020, për çështjen ‘Tershana kundër Shqipërisë’, për 1.8 milionë lekë”, thuhet në tabelën e shpenzimeve, të cilën gazeta “Panorama” e disponon. Por jo vetëm kaq, po buxheti i shtetit ka harxhuar 20-fishin e kësaj shume vetëm për avokatinë.

Qeveria, përmes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i ka paguar plot 430 milionë lekë të vjetër studios ligjore për avokatinë në çështjen e anulimit të vendimit të arbitrazhit ICSID. “VKM nr. 332, datë 2.06.2021 ‘Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2021, miratuar për MTM, për pagesën e studios për çështjen e anulimit të vendimit të arbitrazhit ICSID case nr. ARB/14/26’, për 43 milionë lekë”, theksohet në tabelën e shpenzimeve të fondit rezervë të buxhetit të shtetit për vitin 2021. Këto të dyja shifrat janë mbajtur sekret deri tani nga ana e qeverisë, e cila në çdo deklaratë publike ka mohuar humbjen e gjyqeve në gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe se ka shpenzuar para nga taksapaguesit shqiptarë për këtë qëllim. Sipas vetë dokumentit të qeverisë, rezulton se një gjë e tillë jo vetëm ka ndodhur, por duke përdorur para nga një kategori që është e specifikuar për qëllime të tjera.

Shumë para për vaksinimin dhe 1 miliard lekë për sponsorizimin e turizmit

Qeveria ka shpenzuar një miliard lekë në 2021-shin për të promovuar turizmin në arenën ndërkombëtare. Me VKM nr. 278, datë 12.05.2021 “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për mbështetjen e promovimin të Turizmit Shqiptar në tregjet ndërkombëtare si nevojë për situatën post COVID-19”, është akorduar shuma prej 100 milionë lekësh të rinj. Vitin e kaluar, me VKM nr. 208, datë 29.03.2021 “Për dhënie ndihmë financiare familjes së dëshmorit të atdheut Arjan Sala”, iu akordua shumë prej 1 milion lekësh.

Por me VKM nr. 547, datë 29.09.2021 “Për dhënie ndihme financiare familjes së nënkomisarit Saimir Hoxha, ish-punonjës Policie, i vrarë në krye të detyrës”, iu akorduar shumë prej 5 000 mijë lekësh. Qeveria shpenzoi 461.3 milionë lekë për VKM nr. 909, datë 18.11.2020, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh”. Përmes 10 VKM-ve të ndryshme gjatë vitit 2021, 4 miliardë e 236.7 milionë lekë i janë akorduar vetëm Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në gjashtë VKM të ndryshme, më shumë se gjysma e tyre është përdorur vetëm për blerjen e vaksinave. Pagesa të tilla, si: 430 milionë lekë, 1 miliard e 46 milionë lekë, 1 miliard e 13.5 milionë lekë, 629.7 milionë lekë, 298 milionë lekë dhe 55.5 milionë lekë shkuan vetëm për vaksinimin e qytetarëve.