Kryetari i Komisionit të Kuvendit Kombëtar të PD, Jemin Gjana, zbuloi se në Kuvendin e thirrur sot nga Basha marrin pjesë 5004 delegatë, duke u shprehur se ky Kuvend ka shumicën.
Ai i kërkoi strukturës së PD-së që nesër pasi të jenë hedhur në sistem 5004 emrat të bëhen publik.
“Kryesia e PD-së në mbledhjen e ditës së djeshme ka vendosur që në ndihmë për menaxhimin e punimeve të Kuvendit të krijojë një komision me të cilin janë ndjekur procedurat e regjistrimit të delegatëve dhe e gjithë vendimmarrja që do të ndodhë. Nga të dhënat e regjistrimeve në të 14 komisionet e verifikimit të mandateve të delegatëve të Kuvendit, sekretariati pranë këtij komisioni ka dorëzuar të dhënat e pjesëmarrjes.
Kuvendi ka gjithsej 7600 delegatë.
Sipas prezencës së nënshkruar prej secilit prej tyre, janë të pranishëm në Kuvendin Kombëtar 5004 delegatë të Kuvendit. Duke theksuar se këto 5004 zonja dhe zotërinj nuk janë numra, janë emra, firma, identitete. Si kryetar i këtij komisioni i kërkoj strukturës së PD që nesër pasi të jenë hedhur në sistem 5004 emrat që kanë nënshkruar pjesëmarrjen në Kuvend të bëhen publike. E kemi diskutuar t’i bënim këtu në sallë publike, por e filluam me një orë punimet e Kuvendit”, tha Gjana.