Kavajë/ U NDA NGA JETA MËSUESI SKENDER RRUGJA

 HOMAZH… U NDA NGA JETA MËSUESI SKENDER RRUGËJA

1.

Nëse Skënder Rrugëja do të jetonte edhe 4 ditë, familja e tij, familja e tij, bashkëshortja, djemtë, nipër e mbesa, shokët, më 16 nëntor 2021 do të festonin 79 vjetorin e lindjes së tij. Nuk qe e thënë. Ndërroi jetë nga sëmundja e tmerrshme në një klinikë mjekësore të Stambollit. Nesër, në orën 11.oo funerali i tij niset nga Vila “KORAL” për t’u prehur përgjithmonë në Varrezat e qytetit të Kavajës.

2.  

Herën e fundit jam takuar me të në gusht të këtij viti. Ndonëse kishte premtuar se do të vinte në Kavajë, kjo nuk u realizua.  Me sa duket, pamundësia fizike më shumë se mosha, e pengonte.

Të shtunën nipi i tij, Miri, më mori me makinë dhe u nisëm.Ai banonte në atë segment të Plazhit të Durrësit, që dikur thirrej “Hekurudha”. Aty buzë bulevardit të zhurmshëm, në një pallat të hijshëm disakatësh, në faqen ballore të të cilit lexohej qartë “KORAL”.

U ngjitëm nëpër shkallë dhe zumë vend në tavolinën në krahun e majtë në sallën e madhe komode të Bar-Restorant “KORAL”.Para disa vjetësh kisha qenë edhe një herë tjetër aty, por tani, thuajse, gjithçka, kish ndryshuar.Akomodimi, personeli, pastërtia, etika, mirësjellja e komunikimi rrezatonin një hije evropiane.

    3.

Ai zbriti pas pak. I veshur shik, me borsalinën ngjyrë kafe në kokë, me kravatën e lidhur bukur, që shkonte aq shumë me këmishën e kaltër dhe bastunin në dorë. Ecte ngadalë, më dalloi që larg, buzëqeshi, Nipi i vet i doli përpara për t’i dhënë krahun e vet, por ai nuk pranoi.

Më përqafoi dhe gjithnjë buzagaz më vështroi pak çaste si për të nxjerrë mallin me një koleg, njëherësh, bashkëqytetar i tij.

Që në fjalët e para kuptova se andrallat e jetës, vështirësitë e punës në arsim dhe disa operacione të vështira, më shumë se mosha e rënduar, kishin lënë gjurmët e tyre. 

Që në nisje të CV së tij e ndjej mallin që e pushton për atë kohë. Duket sikur nuk është më në tavolinën pranë meje, por diku tjetër në kohë e hapësirë, ku ka  përhumbur në të shkuarën e vet, kujton vite, shkollimin, vendet e punës, kolegët…

4.

Mësuesi Skënder Rrugëja është lindur në fshatin Kanaparaj më 16 nëntor 1942 në një familje të madhe në gjendje të mirë ekonomike. Arsimin parauniversitar e kreu në Kavajë. Qe një nga maturantët e parë, por nuk iu dha e drejtë studimi për “biografi të keqe”.

I ati u ankua në Durrës. Pas një viti nisi mësuesinë në fshatin Kryevidh, ku ai punoi dy vjet.

Në gusht 1962 e njoftuan se kërkesa e tij për të studjuar matematikë-fizikë qe miratuar për në Institutin e Lartë të Shkodës.

Skënder Rrugëja e mbaroi Institutin e Lartë në Shkodër në vitin 1964. E emëruan mësues për lëndët e matematikë-fizikës në shkollat 7-vjeçare Vorrozen, më pas në Fushë-Qerret, Kanaparaj, përsëri në Kryevidh, në Leshtej-Ҫollakë, edhe njëherë në Vorrozen dhe së fundi në qytetin e Kavajës.

Ndërkohë, krijoi familjen e tij duke u martuar me Sulltane Sqapin punonjëse në Fabrikën e Letrës. Lindën, rritën dhe arsimuan me punën e tyre të ndershme Arbenin dhe Helidonin, dy djem të suksesshëm në rrugën e vështirë të jetës.

5.

Gjatë karierës së tij pedagogjike mësuesi Skënder Rrugëja është munduar të jetë gjithnjë një mësues i mirë, që e ka dashur gjithmonë të mësuarin, sepse vetëm kështu ai arrin t’i frymëzojë nxënësit me pasionin e tij për arsimin dhe lëndët matematikë-fizikë.

Duke bërë të gjitha përpjekjet për të njohur arritjet më të reja në arsim, ai përpiqej të rinovonte veten dhe si një profesionist në kërkim t’u ofronte nxënësve të tij cilësi më të lartë të arsimit. 

Mësuesi Skënder Rrugëja asnjëherë nuk ka patur frikë të mësojë strategji të reja mësimdhënieje, duke e prezantuar jo vetëm si një mësues i mirë, por edhe një udhëheqës i aftë i tyre. 

Ai është klasifikuar tek mësuesit efektivë, të cilët fokusohen në vendimmarrjen e përbashkët, punën në grup dhe në ndërtimin e komunitetit shkollor. Në këtë kahje ai është munduar ta përcillte ndjenjën e mësuesit- drejtues tek nxënësit duke ofruar mundësi për secilin prej tyre që të marrin edhe ata role udhëheqëse. 

Kolegët që kanë punuar me të dhe ish-nxënës të tij, shprehen: 

…Mësuesi Skënder Rrugëja ka qenë gjithnjë fleksibël, kur shihte se një formë e mësimdhënies nuk funksiononte, ai gjente mënyra të reja për të shpjeguar që nxënësit e tij të kuptonin konceptet kyçe. 

Ai gjithnjë bashkëpunonte me kolegët në mënyrë të vazhdueshme, sepse bashkëpunimi për të ishte një mënyrë për të mësuar diçka të suksesshme nga një profesionist tjetër…

6. 

Në fund të viteve ’80-të Skënder Rrugëja u emërua drejtor në shkollën 8-vjeçare “Fiqri Kurti” në Kavajë. Padyshim, ishte një vlerësim për punën e tij. Dëshira e tij për të lënë gjurmët e veta në atë shkollë u pengua nga gjendja jo e mirë shëndetësore. 

Disa operacione mjekësore e detyruan ta linte punën dhe ai kaloi në KEMP. Sëmundja  vinte gjithnjë  duke u rënduar, por ai bënte kujdes të madh në respektin rigoroz të këshillave mjekësore.

Unë, që e njoh prej kohësh e ia di disa nga andrallat e jetës, gëzohem kur e shoh që ecën. Ashtu ngadalë, edhe me bastun, por ecën. Gëzohem, që e ruan ende mirë kthjelltësinë e mendjes. Më vjen mirë, që  kujtimet e hershme e gjallëruan. 

Djemtë e tij Arbeni dhe Helidoni prezantojnë çdo ditë e më shumë sukseset e tyre në jetë. Arbeni, një mjek obstetër-gjinekolog në Tiranë, i arsimuar në Rusi  dhe Helidoni, bisnesmeni vizionar i “Koral”.

Kur ngrihem, ai dhe e shoqja më shoqërojnë deri tek shkallët. Më vjen mirë që janë të kënaqur nga jeta. 

 Sot lajmi për ndarjen e tij nga jeta më hidhëroi shumë. Si në një film të shkurtër m’u shfaqën përpjekjet e atij burri energjik, që gjithnjë e mori jetën me guxim, që përcaktoi objektiva dhe i realizoi ato me sukses.

 Skënder Rrugëja bën pjesë tek ata njerëz, që largohen nga kjo botë pa pengje. La pas një jetë të ndershme, la pas një emër të nderuar mësuesi, la pas bashkëshorten dhe dy djem të sukesshëm me një jetë të garantuar.     

 U prehsh në paqe, Skënder Rrugëja!…

Pjesё nga monografia “Falenderime pёr jetё mёsuesve tanё”

✏️ Rifat Hoxha