Banorët e fshatit Blerimaj në njësinë administrative Luz i Vogël të bashkisë Kavajë protestojnë për mungesën e ujit për vaditje. Ata shprehen të indinjuar se i vetmi kanal vaditës Peqin-Kavajë ka dalë jashtë funksionit duke i lënë tokat e fermerëve në thatësirë të plotë.
Po sipas tyre ky fshat ka në dispozicion 850 hektarë tokë bujqësore të mbjellë me kultura të ndryshme. Kultura bujqësore aktuale që kërkon përkujdesje të veçantë është misri, por në mungesë të ujit për vaditje sipërfaqet e mbjella janë tharë.
Banorët thonë se kanë vënë në dijeni të gjitha institucionet përgjegjëse madje dhe ministren e Bujqësisë por situata nuk ka ndryshuar. Mungesa e ujit për vaditje në këtë fshat ka qenë prej vitesh problematike por këtë vit është përkeqësuar duke i çuar ata pak fermerë drejt falimentimit.
“Nuk kemi njerëz për të ngritur zërnin, asnjë nuk vjen për të parë hallin tënd. Bravo se socialistët ua kanë bërë 8 me 2 këtyre që u kanë dhënë votën . Janë të gjithë të paaftë, hajdutë në krye të institucione”-tha një nga banorët.
Përballë kësaj situate fermerët e fshatit Blerimaj apelojnë njëzëri për të patur ujë në kanalin vaditës, teksa theksojnë se vetëm në fshatin e tyre ai mungon totalisht dhe shpërdorohet në fshatrat ngjitur, Vorozen, Luz i Vogël, Lekaj dhe Gose./ FAX NEWS
VIDEO https://youtu.be/ZEVt-p3DAzA