Hapet sot zyrtarisht sezoni veror dhe turistik për bregdetin e Kavajës. Në kuadër të kësaj dite, bashkia e qytetit zhvilloi një aktivitet, që u shoqërua me këngë, valle dhe një koktej të shtruar për të gjithë të pranishmit.
Fjalën e hapjes së aktivitetit e mbajti vetë kryetari i bashkisë Kavajë, Redjan Krajli, i cili njoftoi hapjen e sezonit, si dhe mbështetjen e tij për sektorin e turizmit.
Prej majit e deri në tetor qyteti i Kavajes pret të shumëfishojë turistet që vijnë nga vendet e huaja.
Sezoni turistik veror 2021 pritet të jetë më i mirë sesa ai i vitit të shkuar, për shkak edhe të vaksinimit të nisur tashmë ndaj Covid-19, uljes së shifrave, si dhe lehtësimit të masave që priten së shpejti.
Nga vija e mrekullueshme bregdetare, pikat turistike kulturore dhe historike, kulinaria e pasur tradicionale dhe moderne, resortet gjigante dhe hotelet luksoze, ashtu siç është “Prestige Resort” i vlerësuar si një ndër më të mirët nga pushuesit në vijën bregdetare dhe deri tek turizmi malor janë pjesë e guidës që do të gjeni ne Kavajë.