Kapen 60 qengja dhe keca “pa letra” në Elbasan

Komisariati Policisë Librazhd ka ndaluar një makinë kamionçinë me targa AA 069IX me të cilën po transportoheshin 60 krerë bagëti pa dokumentacionin e duhur.

Në një operacion të organizuar nga Drejtoria Rajonale Qarku Elbasan, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe sektori Veterinar i Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve ndaluan në aksin Përrenjas-Librazhd automjeti që po transportonte kafshët.

Postblloqet për ndalimin e tyre u ngritën pas informacioneve të marra nga Korça ndërsa personat përgjegjës së bashku me kamionçinën me kafshë  janë shoqëruar për në policinë e Librazhdit.

Ndërkohë, kanë ardhur specialistët e Krimit Ekonomik Elbasan për të verifikuar situatën dhe dokumentacionin. Specialistët e Policisë dhe autoritetet veterinare po kontrollojnë origjinën e kafshëve dhe më gjerë.

Nga inspektimi për lëvizjen e kafshëve u konstatua se makina me qengja vinte nga Korça dhe destinacion Tiranë me 30 krerë qengja e 30 krerë keca, me pronar Shkelzen Dinoshi.