Lëvizja Bashkë, e drejtuar nga Arlind Qori, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të drejtorëve më të rëndësishëm të Bashkisë, të dyshuar për afera korruptive me një kompani që SPAK thotë se e kanë krijuar për të përvetësuar fonde publike.
Lëvizja Bashkë, nëpërmjet një deklarate, shprehet se drejtorët e Bashkisë “kanë vjedhur me pëlqimin e kryetarit më të korruptuar të historisë së Tiranës, Erion Veliajt”.
Deklarata e plotë:
Çfarë është zbuluar deri më sot nga skandalet korruptive në Bashkinë e Tiranës është vetëm një pjesë e llumit të vjedhjes sistematike që drejtuesit e lartë të këtij institucioni zhvillojnë prej vitesh. Pesë drejtorët (5D) janë rasti i fundit dhe më i vrazhdë i përvetësimit të miliona eurove. Ata nuk mund të vidhnin vetëm. Ata nuk mund të vidhnin vetëm për vete. Ata kanë vjedhur me pëlqimin e kryetarit më të korruptuar të historisë së Tiranës, Erion Veliajt.
Gjurmët e korrupsionit të Erion Veliajt hasen gjithandej: nga hoteli në Durrës te ndërtimi imagjinar i inceneratorit të Tiranës; nga përqindja e lejeve të ndërtimit te subvencionet e padrejta të koncesionarëve privatë; nga zvogëlimi i hapësirës së gjelbër të Tiranës urbane te shkatërrimi i shtëpive të qytetarëve.
Sot ne, qytetarët e Tiranës, jemi të vjedhur nga të gjitha anët. Vidhemi drejtpërdrejt nga pushtetarët lokalë që i bëjnë rrush e kumbulla taksat tona. Vidhemi edhe përmes degradimit urban e mjedisor, që ngushton hapësirat publike dhe mundësitë për jetë të shëndetshme.
Sot Erion Veliaj nuk duhet të ishte në zyrën e kryetarit të bashkisë, por në dhomën e qelbur të paraburgimit.
Sot organet e drejtësisë duhet të kishin ngritur kundër tij të paktën dy akuza për korrupsion.
Sot Këshilli i Ministrave duhej ta kishte shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Nëse të mësipërmit nuk veprojnë sot në emër të ligjit, nesër do të veprojnë qytetarët në emër të së drejtës.