Juristi Franc Nuri, ka komentuar në Panorama TV, marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, e cila u miratua nga Gjykata Kushtetuese një ditë më parë (29 janar) si edhe hapat që do të marrë opozita lidhur më këtë vendim.
Përballë gazetarit Kelment Baçi, Nuri theksoi se dërgimi për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese ishte hapi kryesor që opozita mund të ndërmerrte para votimit në Kuvend. Sipas jursitit pas vendimit të GJK edhe nëse ka ankimim nga një palë tjetër, çështja nuk merret më në rishqyrtim.
“Për marrëveshje të tilla, pas votimit në Parlament dhe pas aprovimit të një marrëveshje ndërkombëtare, nuk mundet që Gjykata t’i hyjë një rishqyrtimi”, u shpreh ai.
Ndër të tjera ai theksoi se e vetmja rrugë që i ka mbetur opozitës është t’i bëjë thirrje mazhorancës të mos e votojnë marrëveshjen, por sipas tij gjasat për të dalë në këtë rezultat janë tejet të vogla, pasi “është një iluzion që ata nuk do ta votonin një vendim të tillë”.
“Ky ishte hapi ligjor kryesor që opozita mund të bënte. Dërgimi në GJK, para vendimit në Kuvend, se po të bëhej votimi, vetë Kushtetuta e pengon dërgimin e një ankimimi ratifikon një marrëveshje. Tashmë me vendimin që ky vendimin zbardhet në fletoren zyrtarë hyn në fuqi. Në media doli edhe lajmi se është parashikuar që më 8 shkurt të vijojnë procedurat Parlamentare. Opozita mund të bëjë sërish thirrje për reflektim mazhorancës që të mos e votojnë një marrëveshje të tillë, ta refuzojnë. Por, gjasat për të dalë në këtë rezultat janë tejet të vogla, është një iluzion që ata nuk do ta votonin një vendim të tillë. Për marrëveshje të tilla, pas votimit në Parlament dhe pas aprovimit të një marrëveshje ndërkombëtare, nuk mundet që Gjykata t’i hyjë një rishqyrtimi”, u shpreh ai.
Sa i përket bllokimit të marrëveshjes nga pala italiane, Nuri u shpreh se e vetmja mënyrë është votimi që do të bëhet në Senat, po edhe atje sipas tij, “senati ka një maxhornacë që kontrollohet nga Meloni”.
“Parlamentit italian e ka aprovuar marrëveshjen. Por në Itali ka diçka ndryshe nga Shqipëria, është edhe senati. Çdo ligj shkon edhe në Senat dhe ende nuk ka një vendim prej tyre, një mundësi për t’u bllokuar procesi është edhe vota e Senatit. Senati ka një maxhornacë që kontrollohet nga Meloni, dhe aty gjasat që të ketë një pengesë mund të jenë të ulëta. Po ashtu është edhe Gjykata Kushtetuese Italiane”, u shpreh ai.