Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka publikuar disa foto nga atmosfera festive në qendrat e qyteteve të zbukuruara në prag të festave.
Ai thotë se ministrja e Energjisë përsërit apelin që qytetarët të kursejnë energji ndërkohë që qendrat e qyteteve nuk kanë më dallim nëse është ditë apo natë duke vendosur llampa dekorative që ndriçojnë.
Sula shkruan se edhe në zyrën e ministres duken dritat dekorative të cilat janë vendosur prej më shumë se një jave dhe harxhojnë energjinë që kursejnë qytetarët.
“Ju kurseni energji, ne bëjmë propagandë në prag zgjedhjesh lokale”
Kjo qeveri përpiqet çdo ditë që ti ofendojë e ti poshtërojë qytetarët e sajë. E bëri edhe sot. Me moton “bëj si them unë e mos bëj si bëj unë”, ministrja e qeverisë, ditën që shiti 4.5 milionë euro energji u shtir sikur i bëri një të mirë shqiptarëve se nuk do rrisë energjinë.
Ndërkohë që sot ministrja përgjegjëse përsëriti apelin për të kursyer energji elektrike. Do të ishte apel i mirëpritur nga cilado qeveri për të kursyer, por më së pari shembulli do duhej të jepej nga vet ata që apelojnë.
A ndodh kjo në Shqipëri?
Në një kohë që Ministrja e Energjisë përsërit apelit që qytetarët edhe në këto temperatura të ulëta të kursejnë energji, vet institucionet shtetërore, qendrat e qyteteve nuk kanë më dallim nëse është ditë apo natë. Edhe kur dielli perëndon janë miliona llampa dekorative që ndriçojnë. Madje edhe në zyrën e ministres që bëri këtë apel, duken dritat dekorative të cilat janë vendosur prej një jave tashmë dhe ditë e natë harxhojnë atë që kursejnë qytetarët.
Përfundimi, sigurisht që sërish qytetarët e paguajnë.
Qeveria nuk e ka problem nëse qytetarët sëmuren në këto temperatura të ulëta, por mjafton që të ketë energji për të ndriçuar rrugët dhe sheshet e qyteteve për të realizuar propagandën. Ta shesim Shqipërinë si një vend festiv me njerëz të gëzuar, ndonëse qytetarët shkojnë në shtëpi dhe mbulohen me batanije.