Kandidati demokrat Joe Biden, ka fituar zgjedhjet presidenciale dhe do të jetë presidenti i 46 i SHBA-ve. Ndërsa zëvendëspresidentja do të jetë, senatorja Kamala Harris, e para zëvedëspresidente grua dhe me ngjyrë në historinë e SHBA-ve.
Biden është projektuar si fitues i mbi 270 votave elektorale dhe ka mundur rivalin e tij, presidentin aktual, Donald Trump.
Zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në një klimë mjaft të polarizuar, por tashmë më në fund ka një fitues.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka vënë në dyshim integritetin e këtyre zgjedhjeve, duke bërë akuza për manipulim të tyre, megjithatë nuk ka paraqitur prova për këtë. Mbetet për t’u parë nëse Trump do ta pranojë rezultatin dhe transferimin paqësor të pushtetit. Ai dhe ekipi i tij kanë paralajmëruar një sërë padish në gjykatat e vendit. Ndërkohë nga kampi republikan, duket se ka sinjale se Donald Trump nuk do ta ketë mbështetjen e partisë nëse nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve.
Mbrëmjen e djeshme, Joe Biden, mbajti një fjalim, ku bëri thirrje që amerikanët “të bashkohen si komb”.
“Demokraica funksionon, vota juaj do të numërohet. Të jemi civilë me njëri tjetrin, të bashkohemi si komb dhe të shërohemi. Do të punoj fort për ata që votuan për mua dhe për ata që nuk votuan për mua“, tha ai.
Premtimet e kandidatëve, ku ndahen ata?
Pandemia e Covid-19: Një nga pikat më të nxehta që e ka dominuar fushatën elektorale, është pandemia e Covid-19. SHBA ka numrin më të lartë të viktimave në mbarë botën, me 236,696 fatalitete që prej fillimit të pandemisë dhe mbi 9 milionë të infektuar. Presidenti Trump shpesh ka dhënë mesazhe kontradiktore për rrezikun që mbart ky virus, duke dhënë edhe herë pas here këshilla mjekësore, gjë që ka alarmuar ekspertët, të cilëve u është dashur ta përgënjeshtrojnë. Trump e tërhoqi SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në mes të pandemisë dhe e ka akuzuar OBSH-në, se ka bashkëpunuar me Kinën dhe se është një “kukull” e Kinës.
Joe Biden ka mbështetur mbajtjen e maskave në shkallë të gjerë dhe ka premtuar se SHBA do të rikthehet në OBSH dhe do ta financojë atë.
Emigracioni: Sa i përket emigracionit, palët kanë qëndrimi diametralisht të kundërta. Presidenti Trump ka ardhur në pushtet duke premtuar ndërtimin e një muri ndarës me Meksikën, të cilin ende nuk e ka shndërruar në realitet. Ai gjithashtu ka favorizuar reduktimin e emigracionit dhe administrata Trump u përfshi në procesin kontrovers të ndarjes së fëmijëve nga prindërit në kufi me Meksikën në vitin 2018.
Kandidati demokratik Joe Biden, e kundërshton ndërtimin e murit me Meksikën dhe mbështet zgjerimin e programit të Green Card, që u jep emigrantëve leje qëndrimi në SHBA.
Politika e jashtme: Donald Trump ka vendosur gjatë presidencës së tij, në qendër të sulmeve Kinën, duke e akuzuar për spiunazh dhe manipulim të monedhës. Së fundmi, ai e ka sulmuar Kinën duke e akuzuar për përhapjen e koronavirusit dhe duke e quajtur Covid-19 “murtajën kineze”.
Trump ka mbajtur qëndrim kritik ndaj Iranit, ndërsa ka mbështetur Izraelin dhe Arabinë Saudite. Trump ka qenë një mbështetës i Brexit dhe shpesh i ka tensionuar marrëdhëniet me aleatin tradicional të SHBA-ve, Bashkimin Europian.
Në lidhje me Korenë e Veriut, ai i ka kushtuar rëndësi më të veçantë dhe ka zhvilluar një takim historik me Kim Yong-un, por sipas analistëve, pa rezultate konkrete.
Me Rusinë, Trump ka patur një marrëdhënie relativisht të mirë edhe pse pati akuza për përfshirje të agjentëve rus në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Kandidati demokrat, Joe Biden, gjithashtu e ka kritikuar Kinën dhe e ka konsideruar atë një rrezik serioz.
Në lidhje me Korenë e Veriut, Biden ka kritikuar qëndrimin e Trump, duke u shprehur se ai ka legjitimuar një diktator si Kim Yong-un.
Për Rusinë, kandidati demokrat ka deklaruar se është një rrezik për vlerat demokratike.
Mjedisi dhe Klima: Donald Trump është tërhequr nga Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe ka lehtësuar shumë prej kontrollove ndaj kërkimit për lëndë fosile. Por Trump ka bërë progres në disa marrëveshje për ndotjen detare.
Joe Biden është zotuar të rikthejë SHBA-në në Marrëveshjen e Klimës së Parisit dhe ka mbështetur masa më shtrënguese për të “luftuar” ndotjen mjedisore. Premtimi i tij është kalimi në energji të pastër të rinovueshme deri në vitin 2035.