Jep dorëheqjen nga Kryetar i FRPD së Kavajës, Arnold Kariqi: Kjo PD nuk përfaqëson më demokratët

Arnold Kariqi nuk do të jetë më Kryetari i Forumit Rinor të PD Dega Kavajë. Pas disa vitesh në drejtimin e të rinjve demokratët të qytetit Kariqi ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. 

Këtë njoftim ai e ka shoqëruar me një akuzë të fortë ku deklaron se Kjo PD e sotme nuk përfaqëson më demokratët. 

I rreshtuar në krah të ish- kryeministrit Sali Berisha ai u bën demokratëve ketë thirrje: “Mos u dorëzoni dhe mos reshtni së punuari për ta shpëtuar atë nga kjo shpurë delinkuentësh që ka uzurpuar selinë e demokratëve sot!”

Mesazhi i Arnold Kariqi 

Të dashur miq dhe dashamirës!

Kontributi im familjar në Partinë Demokratike ka nisur që në vitin 1990 e i trashëguar ndër breza, me bindjen e plotë se ajo është dhe mbetet e vetmja parti që përfaqëson interesin kombëtarë, ndërtimin e shtetit të së drejtës, garanton të drejtat dhe liritë themelore, dinjitetin dhe personalitetin njerëzor, si dhe prosperitetin e të gjithë kombit!

Në rrugëtimin tim shumë vjeçar në PD, me krenari i kam shërbyer bindjes sime si një qytetar i lirë që besonte se vendi i tij, një ditë do të ishte shumë më i mirë se ky i sotmi! 

Fatkeqësisht, situata e tanishme të trishton.

Që fëmijë, prej 12 vitesh angazhim të palodhur e palëkundur fushatë pas fushate, qoftë ajo fituese apo humbëse!

Që nga mbështetës pa kushte, anëtari i thjeshtë e deri tek antëtar i seksionit e grupseksionit, sekretar e kryetar i saj, anëtarë i kryesisë së PD e sekretar i FRPD dhe së fundmi kryetar i saj.

Ama në jetë, njeriut i vjen momenti që të marrë një vendim, sado i vështirë qoftë ai.

Ndaj dhe unë, ditën e sotme kam vendosur të jap dorëheqjen nga drejtimi i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dega Kavajë dhe të largohem nga angazhimi im aktiv në jetën politike! 

Kjo PD e sotme nuk përfaqëson më demokratët.

Unë kam bindjen se i kam shërbyer me maturi, dinjitet e përkushtim një detyre me tejet përgjegjësi që të rinjtë demokratë më besuan që prej vitit 2016!

Dua të falenderoj të gjithë djemtë dhe vajzat e qytetit tim, bashkëpunëtorë të çdo lloj brezi që punuam së bashku pa menduar se një ditë do merrnim diçka në këmbim, por thjesht udhëhiqeshim nga idealet dhe dashuria jonë për PD-në, atë PD-në e dikurshme, kurrësesi këtë të sotmen.

Atë PD që sot, duhet të udhëhiqet nga vlerat themelore që mbart duke mos harruar se historia e arritjeve të saj të arta të cilat bëjnë krenar çdo demokrat, mban padyshim vulën e Sali Berishës! Ata që janë të destinuar të harrojnë apo mohojnë të shkuarën, padyshim nuk e meritojnë të ardhmen.

Disa i njihja, shumë të tjerë jo, ama u rritëm së bashku dhe sot ruajmë miqësinë dhe respektin e veçantë për njëri tjetrin!

Unë u jam mirënjohës nga zemra për gjithçka bëtë me mund e shpirt!

Pa ju, drejtimi i forumit do të ishte i pamundur.

Dua të falenderoj kryetarin e degës Isa Sakja për mbështetjen dhe besimin e tij që prej ditës së parë që unë mora drejtimin e forumit, falenderoj kryetarin e FRPDSH Belind Këlliçi për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të sinqertë këto vite!

Falenderoj nga zemra çdo demokrat, dashamirës që më qëndroi afër, më këshilloi dhe herë pas here edhe më kritikoi kur diçka nuk bëhej siç duhej.

Kam aq shumë për të falenderuar saqë do të më duheshin ditë e javë të tëra për ti shkruar, e sërish do harroja dikë.

Ky largim i imi nuk është një lamtumirë me PD-në, pasi atë, nuk do arrija ta bëja dot kurrë deri në frymën time të fundit!

Do jem krahë saj në çdo rrugëtim sado i vështirë qoftë ai.

Çdo i ri dhe e re që nesër aspiron drejtimin e FRPD, ta marrë atë me krenarinë më të madhe sepse bën pjesë në partinë që në thelbin e saj ka vlerat themelore të familjes tradicionale Shqiptare, dinjitetin njerëzorë, humanizimin e solidaritetin shoqëror dhe frymën e tolerancës e të bashkëjetesës fetare!

Kurrë mos e harroni!

Partia Demokratike, mbetet aseti më i çmuar i Shqipërisë në këto 31 vite demokraci. 

Mos u dorëzoni dhe mos reshtni së punuari për ta shpëtuar atë nga kjo shpurë delinkuentësh që ka uzurpuar selinë e demokratëve sot!

Ju faleminderit nga zemra! 💙✌🏻