Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani i ftuar në Panorama TV, foli për situatën politike në vend , duke u shprehur se opozita është në një pozitë të vështirë, pasi kryeministrit Rama i intereson kjo situatë e krijuar.
Përballë gazetarit Kelment Baçi, Dogjani shtoi se Ramës nuk i intereson as Reforma Zgjedhore pasi do t’ i vendosë vetë emrat e duputetëve në listë që t’i ketë më pas në vathë.
Dogjani: Ne jemi vënë në një pozitë të vështirë për shkak të mohimit të të drejtave tona Kushtetuese.
Me këto veprime, më shumë i interesojnë Edi Ramës dhe ai po bën përpjekje që të mbajë parlamentin jashtë seancave normale.
Në këtë mënyrë duke bllokuar seancat, po tërheq vëmendjet e opinionit publik duke hequr vëmendjen nga skandalet dhe për ta penguar ne që të flasim.
Para pak ditësh kishim Ahmetajt, del dhe thotë që Rama ka vjedhur 60 milion euro përmes inceneratorit dhe kanë shkuar në Dubai.
Ai tregoi se Rama është ulur me hëngër qofte dhe e ndante Shqipërinë sipas dëshirës së tij.
Përveç kësaj, Rama i intereson ky anormalitet, për faktin se janë skandalet e tjera. Kemi Komisionet Hetimore për Portin e Durrësit, sistemin TIMS, McGonigalin dhe të tjera.
Komisionet për këta i kemi kërkuar që t’i vëmë përpara përgjegjësisë penale. Pse Rama nuk thotë sot, ajdeni ngrejeni Komisionin Hetimor, unë nuk kam gjë për të fshehur dhe le të dalim në bllof.
A e dini se çfarë bëhet ne buxhetin e shtetit. Njerëzit janë të frikësuar sepse po instalohet një diktaturë në Shqipëri.
Ramës nuk i intereson as Reforma Zgjedhore sepse do t’i ketë deputetët ne vathë. Që kur ka ardhur Rama në pushtet ka ardhur duke u shuar zëri brenda PS.
Pse nuk e ndal opozita aksionin?
I pyetur se pse opozita nuk e ndalon këtë aksion, kur shikon që kjo i shkon për shtat Edi Ramës, Dogjani tha se ata nuk mund të behen fasadë e qeverisë.
Ai ka shtuar se Shqipëria do të zhvillohet vetëm në momentin që qytetari do ta hedhi votën atje ku e mendon, në të kundërt do të vazhdojë kjo situatë dhe shqiptarët do të vazhdojë të ikin.
Dogjani: Ne po ndalojmë, ai vazhdon të vjedhi, ne bëhemi fasadë e Edi RAMËS. Jo ne nuk kemi shkuar për këtë gjë atje. Ne duhet të ngremë zërin, për të mirën e shqiptarëve që ata të mos e pësojnë më vonë.
Ne jemi votuar që të shkojmë në parlament, të ngremë hallet e qytetarëve, por të ndikojmë edhe te qeveria për të mirën e qytetarëve.
Rama është rrethuar nga disa servilë dhe është larguar nga qytetarët, është njeriu më i urryer sot. Pse sepse, asnjë nuk do që t’i iki fëmija jasht.
Njerëzit ikin edhe sepse, ore e kupton që në Shqipëri sundon më i fortë dhe më krimineli.
Ahmetaj e tha qartë për publikun atë që në kemi thënë, që me bekimin e qeverisë, Shqipëria u mbush me drogë.
E di cfarë pasojash ka sjellë kjo? E di se sa fëmijë janë mësuar të konsumojnë drogë.
Shqipëria do të zhvillohet në momentin kur vota e shqiptarit do të shkojë atje ku e mendon.
Nëse nuk bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, shqiptarët do ikin më shumë, banditët do qeverisën.
Hapat e ardhshëm
Deputeti i PD, sa i përket hapave që do të ndërmarrë opozita në vazhdim, dukeqenëse aksioni i deritanishëm nuk po mjafton tha se opozita vetëm fjalën ka dhe nuk mund të marrë armët.
Dogjani:Ne jemi opozitë. Opozita fjalën ka. Ne me punën tonë të përditshme po mundohemi të sensibilizojmë qytetarët dhe ndërkombëtarët, për t’i thënë që ky është realiteti. Ne nuk mund të marrim armët. Populli e rrëzon qeverinë, nëpërmjet protestave dhe votës.
Detyra jonë është t’i themi ndërkombëtarëve që duajeni dhe Shqipërinë si vendin tuaj. Ne duam stabilitet dhe demokraci, mos shohin vetëm stabilitetin.
Unë i kërkoj të bëjnë të pamundurën që në Shqipëri të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Të sensibilizojmë popullin që më 20 shkurt të mbushin sheshin dhe të mos largohen, por të përballen me regjimin./ Panorama Tv