Ishte shpallur në kërkim për falsifikim e mashtrim, arrestohet pronari i një subjekti të shpronësuar afër Shkëmbit të Kavajës


Policia e Durrësit ka ndaluar një 55-vjeçar të shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit të koduar “Shpronësimi”.

Sipas uniformave blu, 55-vjeçari i ndaluar, ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrim me pasoja të rënda”.

Njoftimi i plotë:

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në muajin korrik, janë ndaluar 3 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të operacionit të koduar “Shpronësimi”, kanë ndaluar shtetasin M. K., 55 vjeç, banues në Tiranë, (pronar i subjektit të shpronësuar në afërsi të Shkëmbit të Kavajës), pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës në muajin korrik të vitit 2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrim me pasoja të rënda”.

Në kuadër të këtij operacioni, në muajin korrik, shërbimet e Policisë kanë bërë ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të Prokurorisë për 3 shtetas, të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë Durrës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.