Një konflikt i nisur pak kohë më parë mes ish-kryetarit të FRESH-it në Durrës, Ardit Kërtusha, dhe një personi tjetër degjeneroi në përdorimin e armës së zjarrit, ku për pasojë mbeti i plagosur 31- vjeçari Kërtusha.
Ngjarja u regjistrua në ambientet e një lokali në zonën e Currilave, në pronësi të reperit të njohur Noizy. Sipas Policisë, Kërtusha, i cili ishte edhe kandidat në zgjedhjet e fundit të Partisë Socialiste në Durrës, ishte vetëm në ambientet e verandës së lokalit kur iu afrua një person dhe e qëlloi me armë zjarri tip pistoletë. Mësohet se paraprakisht, autori dhe i plagosuri kanë shkëmbyer disa fjalë midis tyre.
Mësohet se Kërtusha është qëlluar me armë zjarri në pjesën e këmbës. Kërtusha dhe autori i plagosjes kanë pasur edhe një konflikt fizik rreth 20 ditë më parë për çështje pronash.
Ky konflikt ka precipituar, pasi autori ka shkuar në lokalin ku Kërtusha ndodhej dhe e ka qëlluar me armë tip pistoletë në këmbë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:00 në ambientet e brendshme të një bari në zonën e njohur si Currila.
IDENTIFIKOHET AUTORI
Autori (identifikuar nga Policia, por për arsye hetimi emri nuk bëhet i ditur) është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur dhe po kërkohet nga forcat e rendit, e cila deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte rënë në gjurmët e tij. Blutë e Durrësit raportuan se 31-vjeçari u plagos gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, por konflikti e ka gjenezën më herët.
“Gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. K., 31 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi më herë Policia, ndërsa ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes.
Menjëherë, grupi hetimit ka sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit për të dokumentuar ngjarjen.
Pistat në të cilat po heton grupi hetimit janë tri: plagosja mund të jetë bërë për një sherr për prona, për konflikte që Kërtusha mund të ketë pasur me persona të tjerë ose për arsye politike. Kërtusha mësohet se në zgjedhjet e 25 prillit kishte ndryshuar kah politik, duke dalë në krah të Partisë Demokratike.
DËSHMIA
Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”, Kërtusha deklaroi se nuk ishte një ngjarje për motive banale dhe një konflikt çasti, por një atentat i mirëfilltë. Sipas tij, personi ishte me kapuç dhe me dy pistoleta në dorë duke qëlluar katër herë, por për fat të mirë pistoleta u bllokua.
“Nga jashtë lokalit ka ardhur një djalë i ri, i cili mbante në fytyrë një maskë anti-COVID, me syze të errëta dhe kapele në kokë. Sapo është afruar te tavolina ku isha, atentatori ka nxjerrë një pistoletë dhe qëlloi në drejtimin tim. Por, pistoleta iu bllokua pasi ka qëlluar vetëm 1 herë, ndërsa atentatori futi dorën në një çantë që mbante me vete, nga ku nxori një pistoletë të dytë.
Unë u largova me shpejtësi sapo pashë që pistoleta u bllokua. Ai më ndoqi dhe qëlloi edhe dy herë të tjera. Një prej plumbave më kapi në këmbë. Është e paqartë se përse Policia e Durrësit nxitoi të shpërndante një mjegullnajë për dinamikën e ngjarjes, duke e konsideruar si një “konflikt të çastit”, deklaroi Kërtusha.