The Sun ka kryer një investigim në lidhje me trafikun e klandestinëve shqiptarë me varka të vogla drejt Britanisë së Madhe.
Duke i siguruar një gazetari të infiltruar një vend prej 4,500 £ në një gomone që transporton klandestinë drejt Anglisë, The Sun ka hedhur dritë mbi mënyrën si operon banda shqiptare e trafikut.
Grupi kriminal transporton personat drejt Britanisë duke përdorur aplikacionin e TikTok për të reklamuar biznesin e paligjshëm, teksa mburren se si francezët do t’i lejojnë emigrantët të kalojnë, sipas hetimit të The Sun.
“Ne zbuluam llogari të shumta nga shqiptarët që sigurojnë kalim të sigurt me varkë të vogël apo edhe jahte luksoze , ndërsa përfshihet këshillim se si të kërkojnë azil. Duke i ofruar gazetarit një vend prej 4500 £ në një gomone, njëri prej tyre u mburr: Francezët nuk do t’ju ndalojnë. Përkundrazi, ata do t’ju shoqërojnë të sigurt derisa të arrini në kufirin ujor të Mbretërisë së Bashkuar”, sipas The Sun.
Gazetari i The Sun u prezantua si emigrant shqiptar, të cilit iu tha të kontaktonte një avokat pas mbërritjes në Britani.
Ai shtoi në bisedën TikTok : Mund t’ju jap një numër avokatësh që kam përdorur për të afërmit e mi. Ata kanë arritur të sigurojnë dokumentacion (leje qëndrimi) për gjysmën e shqiptarëve në Londër.
I pyetur për fatin e të ardhurve së fundmit, ai tha: Tre muaj më parë një djalë u mbajt në paraburgim për një muaj, pastaj u lirua nga avokati i tij.
“Të gjithë të tjerët me të cilët kam biseduar pasi mbërritën u dërguan në hotele, më pas u zhdukën. Ata shkuan te të afërmit e tyre.”
Trafikanti, pseudonimi TikTok i të cilit është @franc_gomone_angli1 — po fiton para nga shqiptarë që shkojnë në Britani.
Në vitin 2021, gjithsej 757 shqiptarë kaluan Kanalin e Le Mansit me anije të vogla . Në vetëm gjashtë javë këtë verë, 1,075 shqiptarë të tjerë mundën të kalonin, gati 40 për qind e të gjithë atyre që arritën në Britani në këtë mënyrë, thotë një raport ushtarak i MB-së.
Ndërkohë që Shqipëria anëtare e NATO -s është e goditur nga varfëria, ajo nuk ka qenë në luftë për 25 vjet.
Ish-udhëheqësi i konservatorëve, Iain Duncan Smith tha se fluksi i klandestinëve nga Shqipëria është dëshmi se njerëzit po vinin jo për të ikur nga lufta, por “me një biletë migrimi ekonomik” dhe po abuzonin me sistemin e azilit.
Ish -shefi i Forcave Kufitare Tony Smith këmbënguli gjithashtu se kishte prova se shqiptarët këshilloheshin nga kontrabandistët të pretendonin se ishin viktima të trafikimit dhe jo azilkërkues, duke bërë që të kishin sukses në përpjekjen e tyre për të qëndruar në Britani.
Ai tha: “Është një tjetër pengesë, që do të thotë se ata nuk mund të kthehen menjëherë në Shqipëri”.
Një burim i Whitehall tha: “Është e domosdoshme që ky sistem të rregullohet shpejt dhe për mirë.”
Duke u shtirur si një emigrant që kërkon një udhëtim me gomone për në Britani, hetuesi ynë kontaktoi tre faqe TikTok që reklamonin kalimet e paligjshme.
Një kontrabandist – i cili e quajti veten Gent dhe pretendonte se ishte një “zot” i biznesit të kontrabandës së qenieve – ofroi një shërbim “më të sigurt” të jahteve luksoze në MB me 15,000 £ për person, shkruan The Sun.
“E kontaktuam nëpërmjet faqes Shqipëri-Angli. Ai na informoi dhe për kalime me varka të vogla ku tha: “Shqiptarë mos e vendosni veten në rrezik. Ne kemi një udhëtim me jaht me dhoma çdo fundjavë.
Një tjetër kontrabandist – i cili tha se jetonte në Birmingham – shpalli çmime më të ulëta të vendeve në një gomone drejt Anglisë, ku për dy personakostoja ishte 8,000 £” shkruan The Sun.
Llogaria @franc_gomone_angli1 – ka 1,819 ndjekës në TikTok dhe 6,937 pëlqime. Ajo promovon biznesin e saj me një sërë videosh që tregojnë emigrantë të ngjeshur në gomone. Njëri prej postimeve ishte me mbishkrimin: “Udhëtim sonte nga Calais dhe Dunkirk”.
Në një tjetër, që tregon emigrantët në një gomone, lexon: “Suksesi flet vetë. Djemtë arritën mirë në Londër sonte.”
Një e tretë thotë: “Udhëtoni çdo ditë. Ne marrim familje.”
Hetuesi ynë e pyeti kontrabandistin në bisedën TikTok nëse përpjekja e qeverisë për të dëbuar emigrantët në Ruandë , në Afrikën Qendrore, do të përbënte një problem.
Shqiptari iu përgjigj: “Jo, jo, mos u shqetëso. Nuk të dërgojnë atje. Kjo është anuluar. Ata do t’ju dërgojnë në një hotel. Pastaj prej andej ke mundësinë të shkosh sa herë të duash.”
I pyetur nga gazetari ynë se çfarë të thotë kur kërkon azil, kontrabandisti shtoi: “Duhet të gjesh një avokat kur të arrish në hotel. Do të keni mjaft kohë për të menduar për historinë tuaj dhe për të gjetur një avokat. Do të duhen shumë muaj për të bërë intervistën e parë sepse ka shumë njerëz radhë.
The Sun njoftoi TikTok-un për tre llogari kontrabandistësh të cilat ata thanë se i kishin “ndaluar përgjithmonë” nga faqja.
Gjigandi i mediave sociale tha: “Kjo përmbajtje nuk ka vend në TikTok. Ne nuk lejojmë përmbajtje që promovon kontrabandën e njerëzve.
Vitin e kaluar, Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të kthyer shtetasit e saj nëse nuk kishin të drejtë të qëndronin. Pothuajse 1000 janë hequr deri më tani.
“Postimet në mediat sociale që promovojnë kalime të paligjshme janë krejtësisht të papranueshme. Ne po shikojmë të reformojmë sistemin që përdorim për të identifikuar viktimat e skllavërisë moderne, në mënyrë që të mund të mbështesim viktimat e vërteta duke u siguruar që sistemi të mos keqpërdoret”, tha Patel për hetimin e The Sun.