KELMENT BAÇI/ Plani i hetimit për inceneratorët, i cili nuk u votua nga maxhoranca socialiste, parashikonte fillimin e hetimeve që në datën 19 janar dhe ato do përfundonin në 24 shkurt të këtij viti.
PD-ja kishte parashikuar një “mbështetje” nga PS-ja për zgjatjen e afatit të këtij komisioni nga data e mbarimit 28 janar në 28 shkurt, gjë që nuk ndodhi. Mungesa e shtyrjes së afatit të kërkuar nga PD-ja, krijoi përplasjen e radhës mes maxhorancës dhe opozitës, duke bllokuar sërish punën e tij. Në plan janë të detajuara të gjitha hapat dhe proceset e hetimit, nga analizimi i përgjigjeve të institucioneve te thirrja e dëshmitarëve dhe dhënia e mendimeve nga deputetët. Për hetimin e plotë të asaj që opozita e konsideron si afera e inceneratorëve ajo kërkoi informacion nga mbi 28 institucione shtetërore dhe private, ku pjesa më e madhe kanë kthyer përgjigje. Komisioni kërkoi kontrollin e veprimeve dhe mosveprimeve të organeve publike të përfshira në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Verifikimin e pasojave që secila prej procedurave ka pasur në buxhetin e shtetit në mjedis, mbi konkurrencën dhe tregun e lirë dhe vlerësimin e nevojës për ndërhyrje ligjore me qëllim mbrojtjen e konkurrencës, tregut të lirë, mjedisit dhe përafrimin e legjislacionit me BE-në.
PËRPLASJA PËR AFATIN
Përplasja PD-PS për planin e hetimin dhe afatet futi në një tjetër ngërç Komisionin për Inceneratorët. Nga ana e saj, PS-ja e shprehu qartë qëndrimin e saj se është kundër shtyrjes dhe se opozita ka humbur kohë në këtë fillim janari për të vazhduar me procesin dhe punën e këtij Komisioni. Sipas kryetares së këtij Komisioni, Jorida Tabaku duke u bazuar në Rregulloren e Kuvendit nuk llogaritet periudha jashtë sesionit parlamentar, duke iu referuar pushimeve të ndërrimit të viteve. Arrestimi nga SPAK i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për shpërdorim detyre dhe korrupsion, sipas PD-së është një provë e qartë e kësaj afere korruptive.
“Neni 121/1, pika 4 e Rregullores se Kuvendit parashikon qe nuk llogariten periudhat jashtë sesionit parlamentar, me përjashtim të rastit kur çështja përfshihet në rendin e ditës të sesionit të jashtëzakonshëm. Kjo do të thotë se me përfundimin e sesionit parlamentar në datën 20 dhjetor, të gjitha afatet janë pezulluar për të rifilluar sërish në datën 17 janar. Pra, periudha 20 dhjetor – 17 janar, që konsiston në 27 ditë, do të duhet që më pas të shtoheshin pas afatit 28 janar, çka do të thotë se afati i Komisionit shtyhej automatikisht në datën 25 shkurt 2022”, thotë Tabaku për gazetën “Panorama”.
Nënkryetarja e këtij komisioni, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, duke iu referuar Rregullores së Kuvendit tha në Komision se maxhoranca do të respektojë këtë afat të vendosur nga Kuvendi.
“Sipas Rregullores së Kuvendit, neni 121, pika 1 thotë: ‘Kur afati i parashikuar në këtë rregullore caktohet në ditë, në llogaritjen e tij përjashtohet dita kur ka ndodhur ngjarja nga e cila fillon të ecë afati’. Kryetarja e Komisionit në datën 20 dhjetor ka qenë enë shumë e saktë dhe nuk ka pasur asnjë lloj dyshimi që ky afat mbaronte më 28 janar, sepse ia ka thënë kryetares së Kuvendit ku i ka kërkuar zgjatjen e afatit të hetimeve të Komisionit”, tha Felaj.
VEPRIMET DHE AFATET
Në këtë plan është saktësuar që: “Shqyrtimi i gjithë dokumentacionit të administruar pranë Komisionit dhe evidentimi i mangësive në dokumentacion dhe prezantimi i nevojave për plotësime apo dokumentacion shtesë, nga specialistët, duhet të bëhet brenda datës 28 janar 2022. Shqyrtimi i dokumenteve për lidhur me impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Elbasanit komisioni parashikonte ta përfundonte më 31 Janar 2022, për impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Fierit brenda 4 Shkurtit dhe për impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të Tiranës brenda datës 7 shkurt. Për secilin prej inceneratorëve do analizohet dhe shqyrtohet informacioni i përgatitur nga specialistët e caktuar nga Komisioni ku çdo anëtar analizon çështjet përkatëse, në varësi të informacionit. Sa i përket thirrjes së dëshmitarëve, sipas kërkesave të çdo anëtari, Komisioni kishte parashikuar që kjo gjë të ndodhtë brenda datës 15 Shkurt. Prezantimi i konkluzioneve të hetimit dhe deklarimi i përfundimeve të hetimit brenda 22 shkurt dhe konkluzionet do prezantoheshin nga kryetarja i Komisionit më 25 shkurt për të vijuar më pas me diskutimin dhe miratimin e tyre.
LISTA E DËSHMITARËVE
Plani i Hetimi kishte parashikuar thirrjen e Kryeministrit Edi Rama si dëshmitar për dhënien me koncesionit të tre inceneratorëve. Bashkë me kreun e qeverisë, në listë si persona që mund të kenë dijeni për atë që PD-ja e konsideron si aferë korruptive, janë edhe ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, kryebashkiakët Erion Veliaj, Qazim Sejdini dhe Armando Subashi, ish-sekretari i Përgjithshëm (aktualisht deputet) Alqi Bllako dhe sekretari i Përgjithshëm, Ëngjëll Agaçi. Të gjithë këta zyrtarë do pyeteshin se nëse i kanë shfrytëzuar funksionet e tyre publike për përfitime pasurore personale dhe cila është lidhja e tyre me pronarët e incineratorëve, përkatësisht shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja? Po ashtu, lista e dëshmitarëve janë edhe personat e lartpërmendur si përfitues të kontratave koncesionare. Në listën e dëshmitarëve si kërkesë e PD-së janë shtuar edhe disa gazetarë, të cilët kanë dijeni për aferën korruptive, si dhe janë sulmuar dhe paditur nga pronarët e firmave, të cilët kanë përfituar kontratat koncesionare.
Marrë nga Gazeta Panorama