Ilir Meta ka qenë në Kavajë, ku është takuar me disa priftërinj dhe përfaqësues së feve të ndryshme. Meta thotë se familja shqiptare po denatyrohet me konceptin “Prindi 1 dhe Prindi 2” dhe se do të angazhohet për të mbrojtur familjet.
Kujtojmë se në Shqipëri ka patur debat të fortë lidhur me këtë çështje, debat i nxitur nga një emision televiziv, por kjo nismë për emërtimin e prindërve të së njëjtës gjini në çertifikatat familjare si “Prindi 1 dhe 2” nuk është propozuar zyrtarisht nga asnjë komunitet apo parti politike, përfshirë edhe komunitetin LGBT+.
Megjithatë, Meta i ka shpallur luftë këtyre termave dhe thotë se Partia e Lirisë do të mbrojë familjet.
“Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në simpoziumin me temë “Familja, qelizë e shoqërisë” të organizuar në Kavajë nga Kisha Ortodokse, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e të gjitha besimeve fetare.
I lumtur që së bashku me myftiun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Besnik Lecini, me priftin ortodoks At Petro, me klerin lokal, me Kryebashkiakun Fisnik Qosja, si edhe me shumë personalitete të komunitetit të mrekullueshëm të Kavajës të jepnim mesazhin e përbashkët në mbrojtje të vlerave të Familjes.
Për ne familja ka qenë e shenjtë dhe do të mbetet e shenjtë!
Nuk mund të pranojmë kurrë rrymën çnjerëzore që synon të denatyrojë dhe asgjësojë familjen me “Prindi 1 dhe Prindi 2”!
Tentativa kriminale dhe antikombëtare për të shndërruar këtë vend në një fermë laboratorike të internacionales së surrogacisë do të marrë përgjigjen e merituar!
Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus ndalin shpopullimin, mbrojnë Familjen dhe Kombin!”, shkruan Meta.