Gjendet i vrarë biznesmeni i inerteve Rruzhdi Hoxha. 43-vjeçari, baba i dy fëmijëve ishte zhdukur prej dy javësh. Ai ishte pronar i një biznesi inertesh në dalje të Kamzës. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit është gjetur në një humnerë në Qafë Mollë pas malit të Dajtit.
Hetuesit ndoqën itinerarin e mjetit të Rruzhdi Hoxhës. Fillimisht është gjetur një xhup me njolla gjaku dhe nisur nga kjo provë ka vijuar kontrolli me qen të kërkimit të gjurmës, FNSH e dhjetëra forca të DVP Tiranë dhe është arritur tek trupi i viktimës. Burimet thanë se trupi i viktimës ka plagë me armë zjarri dhe dëmtime nga rrokullisja në humnerë. (Foto: vendi ku u gjet trupi i 43-vjeçarit)
Denoncimi për zhdukjen e tij ishte bërë nga vëllai në komisariatin numër 5 më 24 tetor. Hoxha kishte qenë duke pirë kafe diku pranë autostradës Tiranë-Durrës pasi është telefonuar nga miku i tij Ferdinand Rrushi dhe kanë lëvizur me makinën e tij në drejtim të Zall Herrit.
Mësohet se pas denoncimit, policia ka shoqëruar mikun e tij, teksa po mbahet për llogari të drejtësisë italiane e cila kërkon për çështje droge. Rrushi ka pasur dhe takimin e fundit me 43-vjeçarin.
Si rezulat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavor e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Trupi i pajetë u transportua në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.