Dy muaj më parë dy vëllezërit Altin e Mehmet Mera, nga fshati Luzni, i Dibrës ekzekutuan me armë zjarri bashkëfshatarin e tyre, Xhetan Koneshën. Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të fshatit dhe në prani të vajzës së të ndjerit, Mirushes.
Kjo e fundit ka rrëfyer pas kaq kohësh, të gjithë historinë e asaj dite, ku pësoi traumë të rëndë, pasi babi iu vra nga dy vëllezërit para syve.
Mirushe Koneshi thotë se dy vëllezërit Mere nuk u mjaftuan, duke e qëlluar me plumba, por edhe pasi kishte rënë në tokë e goditën babain e saj me qytën e armës në kokë. Apeli i vajzës së të ndjerit Xhetan Konesha shkon për instancat shtetërore, që të largojnë nga aty familjen e autorëve, pasi është shumë pranë banesës së tyre.
“Babi ishte duke u futur te makina, i thirri dhe i tha ‘ndalu’. Vazhdoi duke sharë ai, me armën drejt, ja kishte drejtuar babit. Babi i doli para dhe i tha të flasë, çfarë ka me të. Ishim të gjithë afër, sa dolëm nga makina. Ai filloi duke sharë. Pastaj ai i thirri vëllait të vet, se e kishin bërë me paramendim, e kishin ndjekur babin prej tre netësh për ta vrarë. Doli vëllai i vet, babi ishte duke hipur në makinë, dhe ai qëlloi direkt. Babi u ndal dhe i tha që ‘me ty i sqaroj punët unë’. Ai pa u menduar dy herë e qëlloi babin. Pasi babi ishte shtrirë përtokë, i ranë dhe me qytën e automatikut. Edhe pasi shkuan te shtëpia, sërish qëlluan me automatik. Atyre iu bë qejfi, që vranë babin tim. I lutem shtetit t’i largojë se nuk i shikojmë dot. Sa herë dal në ballkon, i shikoj”, thotë vajza e të ndjerit.