Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur për herë të parë pas sulmit në veri të Kosovës, ku u vra një efektiv i policisë së Kosovës dhe u plagos një tjetër, teksa ka deklaruar se fajtor për këtë situatë është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiç u shpreh i prerë duke thënë se nuk ka asnjë mundësi që Serbia të njohë Kosovën, zyrtarisht ose jo zyrtarisht, “edhe nëse vriten të gjithë”.
“Atyre që mendojnë se do të ushtrojnë presion që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur, unë u them “Ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur, ju mund të na vrisni të gjithëve”- theksoi Vuçiç teksa shtoi: “Harroni njohjen e Kosovës. zyrtarisht dhe jo zyrtarisht”.
“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.
Presidenti serb tha se “në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.
Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti”.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë.
Vuçiq tha se në ditët në vazhdim do të marrë vendime, që do t’ua komunikojë “qytetarëve dhe popullit tonë në Kosovë”, por nuk specifikoi se me çfarë kanë të bëjnë ato vendime.
Ai tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por shtoi se është i gatshëm të bisedojë.