Ish-presidenti Alfred Moisiu, është shprehur se akuzat e DASH për ish-kryeministrin Berisha nuk janë të reja. Sipas tij, një ndër to që lidhet me minimin e demokracisë ka ndodhur dhe me nipërit e tij, të cilëve Berisha u ka bërë presion përmes ish-drjetorit të Aviacionit Gazmend Dibra.
“Shkon drejtori i Aviacionit Civil Gazmend Dibra, u bënte presion nipave të mi që kishin kompani ajrore. ‘I thoni dajës të firmosë shkarkimin e prokurorit, edhe çdo gjë zgjidhet mirë.’ Ky ishte një lloj rikatimi (presion) i tipit mafioz. Si ka mundësi që kryeministri t’i bëjë rikatim (presion) presidentit, kryetarit të shtetit.
Sigurisht ai nuk e bëri vet këtë, por Gazmend Dibra s’mund të merrte përsipër një gjë të tillë, se nuk ishte aq budalla. Çfarë janë këto? Këto janë minimi i demokracisë. Pra, një nga akuzat që i bëhet atij nga DASH është pikërisht kjo”, tha ndër të tjera Moisiu në emisionin “Spotlight”.
Më tej, ai kërkoi që Berisha të përballet me burrëri me këto akuza, pasi nuk janë të padëgjuara sepse kanë ndodhur. Këtë, ish-presidenti e kërkoi dhe nga intelektualët e vendit, duke u shprehur se nuk mund të bëjnë sikur janë gjëra të padëgjuara.
“Kjo nuk është e re, nuk është e padëgjuar. Dhe të mos bëjmë sikur po na bien gjëra të padëgjuara. Budallenj nuk jemi. Ky popull nuk është budalla. Aq më tepër intelektualët e këtij vendi. Duhet të jemi seriozë, gjërat që kanë ndodhur kanë ndodhur. Nuk na vjen mirë. Edhe mua nuk me vjën mirë që një ish-kolegu im, ish-president dhe ish-kryeministër të goditet. Ky është një fakt, këto gjëra kanë ndodhur”, shtoi Alfred Moisiu, ish-president i vendit.