Gjykata e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm zbardhi këtë të premte vendimin e arsyetuar për vulën e Partisë Demokratike. Vendimi prej 35 faqësh arsyeton në mënyrë të detajuar pse, vula e PD, pas një sage gjyqësore 2-vjeçare kaloi nga Lulzim Basha te Sali Berisha. Gjykata vlerëson se ankimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të PDSH, ka qenë edhe shkaku pse ky ankimim nuk legjitimohej.
Kjo për arsye se Enkelejd Alibeaj kishte marrë detyrën e kryetarit të PD, pas një autorizimi të Lulzim Bashës në shtator 2021, ndërsa prej datës 21 mars 2022 kur ai dha dorëheqjen, ka patur si efekt edhe humbjen e vlefshmërisë juridike të të gjithë këtij akti. Pra, sipas Gjykatës, Enkelejd Alibeaj nuk legjitimohej si palë në procesin gjyqësor të PD, për shkak se nuk kishte tagrin e përfaqësimit juridik.
“…gjykata konstaton se Enkelejd Alibeaj kishte marrë detyrën si kryetar me një autorizim të lëshuar nga Lulzim Basha në vitin 2021, ndërkohë që pas dorëheqjes së tij publike ne vitin 2022, ky akt ishte pa asnjë vlerë”, thuhet në vendimin e Apelit.
Pikërisht kjo gafë juridike në dukje, është bërë shkak për Gjykatën e Apelit që duke vendosur drejtësinë për vulën e PD, vendosi të lërë në fuqi vendimin e Zhukrit dhe të rrëzojë ankimimin e PD-së zyrtare të Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt.
Pjesë nga arsyetimi i Apelit
“Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z. Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qenë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim””, thuhet ne argumentin e gjykatës së Apelit.
…Autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit\prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen eskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit. Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qënë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”. Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra.
Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet.
Përsa i përket vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi objekt i këtij gjykimi. Gjykata e apelit çmon se në momentin që gjyqtari i vetëm ka vendosur “pranimin e ankimit”, gjykata rishikuese e cila ka në kompetencë funksionale që të bëjë shqyrtimin e këtij mjeti ankimi, pra që të vlerësojë shkaqet e parashtruara në mjetin e ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), nuk është e lidhur detyrimisht me vullnetin e gjyqtarit të vetëm, por ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhe kryesisht plotësimin e kushteve dhe kritereve formale të mjetit të ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), sipas nenit 450 të KPC. Ky qëndrim, është i bazuar në përcaktimet e nenit 450, pika 3 të KPC, në të cilin është parashikuar shprehimisht se: “Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi”.
Vendimi për “mospranimin e ankimit” është një vendim përfundimtar në kuptim të nenit 315 të KPC, ndërsa, vendimi për “pranimin e ankimit”, është një vendim i ndërmjetëm, i cili, do ti nënstrohet kontrollit të gjykatës rishikuese, kur çështja ti paraqitet asaj për shqyrtim.