I nxehti “përvëlues” godet Britaninë e Madhe, shkrin edhe pista e aeroportit të Luton (VIDEO)

Pushuesit britanikë që kishin zgjedhur aeroportin e Lutonit, rreth 40 minuta larg Londrës janë shokuar teksa fluturimet e tyre janë anuluar, pasi kaosi goditi pistën, në të cilën nisi të shkrijë asfalti prej temperaturave të larta.

Temperaturat që kanë arritur deri në 40 gradë celcius në Britani duket se kanë detyruar aeroportin e Luton që të pezullojë fluturimet, duke shkaktuar tension te udhëtarët.

Luton Airport konfirmoi se kishte një “defekt sipërfaqësor” të shkaktuar nga moti i sotëm i vrullshëm.

“Pas temperaturave të larta të ditës së sotme, u identifikua një defekt në sipërfaqe në pistë. Inxhinierët u thirrën menjëherë në vendngjarje dhe punime për riparimin janë duke u zhvilluar për të rifilluar punën sa më shpejt të jetë e mundur. Dëshirojmë të kërkojmë falje për shqetësimin e shkaktuar”, thuhet në një njoftim të Aeroportit.

 

 

Aeroporti ka vetëm një pistë me fluturimet që thuhet se janë devijuar në aeroportet e afërta. Incidenti vjen pasi temperaturat e larta mbyllën shkollat në të gjithë Britaninë e Madhe dhe shkaktuan vonesa të të udhëtimeve.

Pista gjithashtu “u shkri” në bazën ajrore ushtarake “RAF Brize Norton” në Oxfordshire sot, ndërsa Britania e Madhe po lufton për t’u përballuar me të nxehtin përvëlues.