I mbështjellë me flamurin kombëtar, i mbajtur nga trupa ceremoniale e gardës e veshur me të kuqe, arkëmorti i ish-Presidentit të Republikës Bujar Nishani ka dalë nga institucioni i Presidentit me nderimet e fundit të ceremonisë shtetërore.
Një minutë heshtje me kokat ulur për të nderuar kujtimin e tij nga të gjithë të pranishmit. Më pas kortezhi ka vijuar më këmbë përgjatë bulevardit dhe arkëmorti është mbuluar me lule të bardha.
Ceremonia shtetërore nisi në orën 10:00 dhe në 12:00 arkëmorti la Presidencën për t’iu drejtuar varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i ish-Kreut të Shtetit. Deri tek ura e Lanës kortezhi ka lëvizur më këmbë. Presidenti Nishani la pas bashkëshorten Odetën, djalin Ersin dhe vajzën Fjonën, të cilët së bashku me babain e ish-kreut të Shtetit kanë pritur sot ngushëllime nga qindra njerëz, personalitete, drejtues, ministra, deputetë, ambasadorë dhe miq të familjes.
Presidenti i Republikës Ilir Meta i shoqëruar nga vajza e tij Bora Meta, ka kryer homazhe i pari pranë arkëmortit të ish-Kreut të Shtetit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta më 28 maj. Më pas Meta ka lënë një shënim në librin e mesazheve.
Qeveria e Shqipërisë vendosi që 2 qershori të jetë ditë zie kombëtare, në nderim të tij. Në the të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Presidenti Meta i shoqëruar nga vajza e tij, Bora Meta ka zhvilluar i pari homazhe në ora 10:00.
Z. Berisha ishte i shoqëruar nga zonja e tij, Liri Berisha, Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, anëtarët e Kryesisë së PD dhe deputetë të Grupit Parlamentar të PD.
Në ceremoninë që po mbahet në Presidencë ka zhvilluar homazhe dhe ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli.