Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako do të lirohet nga burgu.
Vendimi është marrë sot nga GJKKO, që ka vendosur “Arrest shtëpie” për Vangjush Dakon.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se një vendim i tillë është marrë nga gjykata për shkak të afateve të paraburgimit.
Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, është i pandehur për shpërdorim detyre në dy raste, në lidhje me një pallat që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 si dhe projektin e promenadës.
Kujtojmë se Dako është shpallur gjithashtu non grata edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe anëtarëve të familjes së tij. Vendimi është marrë nga sekretari Amerikan i Shtetit, ku theksohet se Dako është përfshirë në raste madhore korrupsioni.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. I pandehuri Vangjush Dako, më datë 26.02.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën me objekt: Konstatimin e mbarimit të afateve të paraburgimit të caktuar me vendimin nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, bazuar në nenet 237, 238, 261-264 të Kodit të Procedures Penale, si dhe në vendimin njësues nr. 00-2021-1134 i Vendimit (62), datë 01.11.2021 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke qenë se kanë përfunduar afatet e paraburgimit gjatë hetimeve paraprake, me vendimin Nr. 133, datë 27.02.2024, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit Vangjush Dako.
2. Konstatimin e mbarimit të afateve të paraburgimit të caktuar me vendimin nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimin nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (ekzekutuar më datë 06.06.2023), lënë në fuqi me vendimin nr. 33, datë 18.07.2023 të Gjykatës së Posaçme e Apelit, për të pandehurin Vangjush Dako, duke mbetur kështu masa e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale pa fuqi ligjore.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i pandehurit Vangjush Dako nga institucioni i paraburgimit, nëse ai nuk mbahet për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale, nëse ndaj tij nuk ka masë sigurimi tjetër dhe nëse ai nuk ka dënim tjetër të pa vuajtur.
4. Caktimin e masës së sigurimit ndaj të pandehurit Vangjush Dako, i biri i Ilias dhe i Llambrinisë, i datëlindjes 29 Nëntor 1966, atë të “Arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal, 2 (dy) herë,
5. Detyrohet i pandehuri Vangjush Dako të mos largohet nga banesa e tij me adresë: Rr. “Aleksandër Goga” Ndërtesa Nr. 24, Hyrja Nr. 1, Durrës.
6. Zbatimi dhe mbikqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e të pandehurit Vangjush Dako, në harkun kohor 24 (njëzet e katër) orë.
7. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Shpenzimet gjyqësore mbeten siç janë bërë.
9. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, duke filluar afati nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
10. Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.
Tiranë, më datë 27.02.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar