Në orën 14:00 trupi i pajetë i 23-vjeçarit Rafael Tafaj do të lërë banesën në zonën e Kënetës në Durrës, për t’u kthyer në vendlindjen e tij në fshatin Cërrujë në Burrel, por kësaj here për t’u prehur përgjithmonë.
Familja e Rafaelit ishte shpërngulur në Durrës prej disa vitesh nga Burreli për një jetë më të mirë dhe shpresa e tyre ishte djali i vetëm, drita e syve.
Të afërmit e familjes Tafaj në prononcimet e dhëna përshkruan Rafaelin, si djalin model. “Punonte e mësonte duke mbajtur në shpatulla që në vegjëli barrën e familjes. Duke qenë djali i vetëm i familjes, që në moshën 15-vjeçare Rafaeli ka punuar përgjatë sezonit të verës në zonën e Plazhit, duke shitur herë pije për pushuesit. Në vjeshtë i drejtohej shkollës dhe sa herë gjente mundësi për të punuar, të ardhurat i çonte në familjen e tij të varfër”, thanë ata.
Pasi mbaroi shkollën e mesme profesionale në Durrës, Rafaeli nuk pati mundësi të ndiqte studimet e larta, por u punësua si gomist. “Meqenëse e kishte punën afër banesës, prej 2 vitesh me pagën e tij mbante dy prindërit e moshuar, ndërsa një motër e kishte të martuar dhe jetonte jashtë”, tregojnë ata.
Të afërmit thanë se dy prindërit e tij të moshuar jo vetëm që tani janë zhytur në mjerim pasi humbën dritën e syve, por janë dhe në vështirësi të mëdha ekonomike e sociale, pasi nuk kanë shtëpi dhe të ardhura.