Humbi dy familjarë, Basha viziton Bujar Çukën në Thumanë, apeli i vajzës: Një vit nga tërmeti asnjë masë s’është marrë, dua drejtësi për mamin dhe vëllain


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në 1-vjetorin e tërmetit të 26 nëntorit të 2019 ka shkuar në Thumanë për të vizituar familjen e Bujar Çukës që humbi 2 familjarë.

Bujar Çukës i ka ngelur një vajzë, Megi e cila ka një apel për shtetin. Megi Çuka thotë se ende tani një vit pas tërmetit nuk është marrë asnjë masë, teksa thekson se përgjegjësia është e qeverisë, administratës së komunës Thumanë apo Bashkia Krujë.

Ajo kërkon drejtësi për vëllain dhe nënën që i humbi tragjikisht gjatë tërmetit të 26 nëntorit.

“I bëj thirrje shtetit, se ashtu siç po merret me ndërtimin e të gjithë Thumanës, të ketë dhe pak përgjegjësi në lidhje me këtë, dhe të vërë para përgjegjësisë, më saktë të gjithë ata persona që ishin përgjegjës dhe erdhën aty me pa ndërtesat që realisht ishin të pabanueshme dhe të vendosen para përgjegjësisë dhe të marrin dënimin që meritojnë. Domethënë, sot është bërë një vit nga tërmeti i 26 nëntorit dhe asnjë lloj mase nuk është marrë në lidhje me këtë tragjedi që na ndodhi. Vertet kjo është një tragjedi që na erdhi nga natyra, por nuk duhet thënë vetëm kaq, sepse një peshë të madhe ashtu siç po e citoj dhe po e theksoj, e pati edhe pergjegjësia duke filluar që nga qeveria, kryetari i bashkisë edhe e gjithë administrata e komunës së Thumanës. Kështu që vetëm kërkoj drejtësinë, asgjë më tepër për mamin dhe vëllain tim ashtu, si edhe për të gjithë 24 të humburit, personat e tjerë të cilët humbën jetëN.”

Bujar Çuka pohon se kur ra tërmeti i 21 shtatorit kanë ardhur për t’i parë dëmet dhe se e nxorën nga shtëpia pasi ishte e pabanueshme. Ai tregon se gjeti shtëpi me qera teksa thotë se nuk do ishin në këto kushte nëse shteti do tregohej pak më i kujdesshëm.

“Ra tërmeti i 21 Shtatorit u shkatërruan komplet. Erdhëm për së dyti. I thashë: pse keni ardhur? Kemi ardhur si stafi i bashkisë, erdhëm me pa dëmet. Më tha: e kemi seriozisht, do bëjmë diçka për ju,- tha. Më thirrën te minibashkia, duhet të dalësh nga shtëpia se tha, shtëpia e pabanueshme. Pastaj gjej shtëpi me qera. Gjeta shtëpi me qera, kam pritur një muaj, dy muaj s’u bë asgjë hiç edhe ja ku jemi sot. S’do të ishim në këto kushte po të ishin treguar pak të kujdesshëm ato.”

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ngushëlluar Bujar dhe Megi Çukën duke i garantuar se problemet e tyre dhe gjithë qytetarëve që u prekën nga tërmeti do të marrin zgjidhje në qeverisjen e PD.

‘’Jam këtu për t’i dhënë forcë dhe për t’i shprehur ngushëllimet Bujarit dhe Megit për humbjen e të dashurit të tyre, nënës dhe të vëllait, bashkëshortes dhe të djalit. Sikundër për t’i shprehur të gjithë ngushëllimet e mia dhe për t’i dhënë forcë gjithë shqiptarëve, që humbën të dashurit e tyre në tërmetin e 26 Nëntorit, sot një vit më parë. Jam i vetëdijshëm sepse vazhdimisht kam qenë në zonat e goditura nga tërmeti për vuajtjet, dhimbjet, në radhë të parë të atyre që humbën të dashurit e tyre, por edhe të qindra mijëra familjeve të tjera që iu shkatërrua pasuria e një jete, shtëpitë, banesat e tyre, vuajtjet të cilat për fat të keq vazhdojnë edhe sot që flasim, ku shumica dërrmuese e familjeve vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira. Një pjesë e tyre akoma në çadra, një pjesë e tyre janë futur, janë detyruar të futen në shtëpi të pasigurta, njësoj si ato që shkaktuan tragjedinë e Thumanës ku rikthimi në dy pallatet e dëmtuara nga tërmetet e mëparshme solli dhe humbjen e 24 jetëve. Gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë. Ata janë dyfish të kërcënuar nga pandemia për shkak të mungesës së elementëve bazë higjeno – sanitare, të ujit të rrjedhshëm. Nda, jsot bashkë me ngushëllimet e mia për familjet e viktimave dhe me dëshirën për t’i dhënë forcë cdo kujt në emër të të gjithë shqiptarëve dua të shpreh edhe njëherë indinjatën që një vit më pas kemi shumë fjalë dhe pak punë, kemi premtime të pambajtura dhe kemi mijëra familje që gjenden në një situatë shumë të vështirë pas tërmetit, pa banesa të sigurta, me një gjendje ekonomike të rrënuar. Dua të zotohem, sot në 1 këtë vjetor të tërmetit, se do bëjmë gjithçka që t’i japim fund kësaj katastrofe në vazhdim. Do të bëjmë gjithçka që njerëzit e dëmtuar nga tërmeti të marrin ndihmën e merituar dhe jo vetëm fjalë e premtime boshe. E di që kjo është një ditë shumë e trishtë për mijëra familje shqiptare, e di që e sotmja i gjen me një situatë të pandryshuar për disa muaj që pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit. Kam qenë pranë tyre, i kam vizituar pranë rrënojave të shtëpive të tyre, brenda çadrave ku kanë kaluar dimrin e kaluar, verën dhe përsëri vjeshtën dhe dimrin që po vjen. Dua t’ju them që e ndiej dhimbjen tuaj, ndiej revoltën tuaj. Do bëj gjithçka që mos t’ju zhgënjej dhe t’i japim fund një politike të fjalëve, të premtimeve të pambajtura dhe të keqpërdorimit të fatkeqësisë. Dhe do bëhemi të gjithë bashkë që ju të merrni atë që meritoni dhe që vendi të ketë një qeveri të përgjegjshme, e cila ndjen dhimbjen me ju dhe bën gjithçka për ta lehtësuar këtë dhimbje përmes veprave dhe jo fjalëve boshe.’’- tha Basha.

Basha u ndal edhe në dy familje të tjera në Thumanë të cilët kanë humbur banesat e tyre, por ende një vit më pas nuk kanë marrë ende asnjë zgjidhje nga qeveria./Bw