Humbën 9-0 në Shkodër, administratori i Besës u kërkon falje tifozëve, Klejdi Zenelaj: Ishte aksidentale, vuajtëm mungesat

Besa afroi në limit të merkatos edhe dy futbollistë, duke kompletuar çdo repart. Skuadra është gati për nisjen e sezonit 2021-2022, kur do të presë Turbinën në Luz. Edhe pse kanë ndërtuar një ekip për t’u ngjitur, nuk është shuar jehona e 9 golave të pësuar në Shkodër. Në lidhje me atë që ndodhi në atë miqësore, por edhe për situatën në prag të sezonit, flet shefi i klubit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Klejdi Zenelaj e quan aksident atë që ngjau dhe mendon se ndikim pati ngjeshja dhe mungesat.

KLEJDI ZENELAJ

Nuk është shuar ende jehona e humbjes në Shkodër. Çfarë ndodhi me Besën në atë miqësore?

Pa krijuar alibi e nxjerrë justifikime, humbja në Shkodër, edhe pse thjesht një miqësore, nuk i shkon për shtat fanellës plot histori të Besës. Është një rast për të nxjerrë mësime e kërkuar ndjesë tifozëve tanë. Po më duhet të sqaroj diçka në lidhje me atë ndeshje, pa larguar aspak përgjegjësitë tona. Ndër shkaqet e humbjes ishte fakti se ekipi luajti të mërkurën me Erzenin dhe brenda 48 orësh udhëtuam drejt Shkodrës. Mungonin të gjithë futbollistët e repartit defensiv: Perja, Çela, Hoxha, Kukaj dhe lojtarët e rinj pa eksperiencë nuk e përballuan dot Vllaznisë pretendente për titull. E përsëris, në emër të KS Besa u kërkoj ndjesë tifozëve tanë.

Duke u kthyer te merkatoja, sa të kënaqur e të plotësuar jeni tashmë në prag të garës zyrtare? 

Kemi nisur përpara ekipeve të tjera stërvitjet e po ashtu merkaton. Ndryshe nga vitet e shkuara kur ekipi kishte mbi 70% djem të rinj 18-20- vjeçarë, këtë merkato kemi synuar afrime të futbollistëve me përvojë Superioreje apo të Kategorisë së Parë. Natyrisht që lojtarët e rinj që kanë dëshmuar tashmë vlerat e tyre, do t’i kemi aty të gërshetuar me afrimet. Mendoj se klubi ka bërë një merkato cilësore dhe jemi të kënaqur. I mbetet fushës së lojës ta dëshmojë çfarë zgjedhjesh kemi bërë.

Pra, po thoni se keni ndërtuar Besën që dëshironi e jep siguri për arritjen e objektivit? 

Askush nuk garanton 100% para një gare se do jemi patjetër të parët. Shihni Kukësin, Partizanin, Vllazninë, Teutën, të gjithë e nisin për titullin, por vetëm një ekip del kampion. Ajo që di t’ju them me siguri është besimi absolut që kemi te grupi që kemi ndërtuar, te cilësitë e vlerat e tij dhe sakrificat që do bëjmë ndeshje pas ndeshjeje për të arritur objektivin. E nisni kampionatin me Turbinën. Çfarë pritet në atë ndeshje? Do të jetë një garë e gjatë, e vështirë, por ne jemi përgatitur për t’i marrë betejat një e nga një, duke nisur nga ndeshja hapëse me Turbinën e Cërrikut.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL