Hasan Bello – “Shqipëria si ishte? Dhe si do të bëhet?”

Nga Dr. HASAN BELLO

Në bazë të dokumentacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Turqisë, të cilat administrojnë burimet osmane lidhur me objektet e ndërtuara në Shqipëri deri në vitin 1912 rezulton se kanë ekzistuar 1015 ndërtesa me karakter fetar, tregtar, arsimor dhe ushtarak. Sipas klasifikimit të mësipërm 482 prej tyre ishin xhami dhe mesxhide (vende ku kryeheshin lutjet fetare); 144 teqe; 38 tyrbe; 28 medrese; 111 mektepe; 123 hane; 9 kala; 4 kulla; 9 imarete (vatra bamirësie); 18 hamame; 3 kulla sahati; 18 ura; 13 çezme dhe 15 konakë/saraje. Personalisht jam i mendimit se 99% e tyre janë ndërtuar me kontributin e vendasve, dmth i gjithë kapitali financiar dhe logjistik, përveç stilit arkitekturorë, ishte shqiptar.
Me përjashtim të ndonjë rasti tepër të rrallë, të ndonjë xhamie e cila është ndërtuar nga osmanët, objektet e kultit, shkollat, kullat e sahateve etj., janë kontribut i shtresës tregtare dhe i familjeve (oxhaqeve) të njohura shqiptare. Këto shifra na ndihmojnë të nxjerrim shumë konkluzione. Por, ajo që më intereson është fakti, sikur të ekzistonte pjesa dërrmuese e këtyre objekteve (plus kishat dhe monumentet e tjera që u prishën në periudhën e komunizmit dhe pas viteve 90-të), a nuk do të ishte Shqipëria një vend më interesant e me vlera muzeale? Po sot a jemi ne mbrojtës të monumenteve historike?