Harta me 92 bashki dhe 6 rajone? PS rrëzon propozimin e Alibeajt: Nuk ka arsye t’a ndryshojmë, shërbimet publike janë përmirësuar

Partia Socialiste rrëzon një propozim të grupit parlamentar demokrat për të rritur numrin e bashkive nga 61 në 92 dhe qarqet nga 12 në 6 rajone.

Qëndrimin e bëri publik sot kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha se shërbimet në këto shtatë vite janë përmirësuar dhe nuk ka arsye të ndryshimit të numrit të bashkive.

“Në mbledhjen e sotme të grupit është referuar edhe një informacion lidhur me atë që kanë konkluduar anëtarët dhe ekspertët përgjatë punës së komisionit të reformës territoriale. Anëtarët dhe ekspertët kanë konkluduar se mes propozimeve për një numër më të madh bashkish dhe propozimeve për një numër më të vogël bashkish, nisur edhe nga fakti që vetëm 7 vite kanë kaluar nga reforma e fundit, por edhe nga fakti që shërbimet publike janë përmirësuar, kemi konkluduar që pozicioni ynë në komision do të jetë që ti qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe”, u shpreh Balla.