Harta e re gjyqësore/ Gjykata largohet nga Kavaja, Ministri Manja ka një arsye: Jemi konsultuar me avokatët për hartimin e draftit!

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka reaguar pas paralajmërimit të Dhomës së Avokatisë në Tiranë për bojkot të seancave në tre ditët në vazhdim për shkak se kundërshtojnë miratimin e hartës së re gjyqësore. Sipas saj Harta e re e largon gjykatën nga Kavaja.

Manja u bën apel avokatëve që të reflektojnë lidhur me vendimin e tyre ndërsa shton se janë konsultuar me ta për draftin e hartës gjyqësore dhe sugjerimet e tyre janë reflektuar.

“Avokatët janë grup interesi i rëndësishëm që garantojnë mbarëvajtjen e procesit të rregullt ligjor në zinxhirin e sistemit të drejtësisë dhe si të tillë janë konsultuar me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik.

Janë marrë në konsideratë disa sugjerime me vlerë që kanë ardhur edhe nga avokatia, të cilat janë reflektuar në draft, por riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë”, nënvizon Manja për ATSH.

“Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe efiçencës së sistemit gjyqësor”, deklaron ministri.

Manja thotë se bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt. “Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore pasi ajo të miratohet në Qeveri dhe të hyjë në fuqi.

Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt, as sistemit të drejtësisë, as avokatëve dhe aq më pak interesave të qytetarëve që mbrohen prej tyre. Si njerëz të ligjit, unë besoj se avokatët do të reflektojnë në vendimin e tyre pasi zbatimi i ligjit është emëruesi i përbashkët i yni dhe që i shërben drejtësisë dhe interesit publik”, shprehet Manja.