Grabitja që tronditi Rinasin, GJKKO jep mbi një shekull burg për grupin që theu sigurinë e aeroportit dhe hyri në avion! Misteri i vrasjes së Admir Muratajt dhe arratisja e Talo Çelës

NIKOLETA KOVAÇI/  Një grabitje e bujshme, që tronditi sigurinë kombëtare, solli jo vetëm një përplasje gjakësore mes anëtarëve të grupeve kriminale që u përfshinë në atë grabitje, por edhe më shumë se një shekull burg për protagonistët që mundi të kapte Policia.

Grabitja e denjë për skenarë të Hollivudit që ndodhi në të vetmin aeroport të vendit dhe madje në barkun e avionit, veç të tjerave mbart një mister të madh që prej asaj kohe e deri më sot, ekzekutimin e atij që u konsiderua edhe si “truri” i gjithë aktit të ndërhyrjes në barkun e avionit për të rrëmbyer një shumë të madhe valute që po nisej në drejtim të Austrisë.

Ishte pikërisht ky ekzekutim që çoi edhe në zbulimin e grupi që mori pjesë në atë grabitje, pasi mes viktimës dhe të dyshuarit kryesor ekzistonte një miqësi e hershme që lidhej me burgjet e Greqisë. Po ndërsa Policia, prokuroritë dhe Gjykata pretendojnë se kanë hedhur dritë mbi atë grabitje që tronditi vendin, sot e asaj dite ende nuk i është dhënë përgjigje faktit se kush e ekzekutoi Admir Muratajn, të cilin Policia e akuzoi se ishte ditën e grabitjes në afërsi të avionit, duke bërë roje me armë. Madje u hodh edhe ideja se Murataj i maskuar kishte qëndruar përballë kamerave, por ajo që pasoi, ikjen e grabitësve dhe gjetja e trupit të pajetë rreth 2 km larg vendit të ngjarjes, ngriti pikëpyetje të mëdha për të cilat ende nuk është dhënë asnjë version zyrtar.

GJYQI NDAJ AUTORËVE

Sipas zërit zyrtar të Gjykatës së Posaçme, mësohet se ditën e djeshme, GJKKO-ja ka dhënë 122 vite burg në total për 7 anëtarët e grupit që u akuzuan, hetuan dhe gjykuan se grabitën 4.6 milionë euro në Rinas në vitin 2019. Më i ndëshkuari mes të gjithë grupit është pikërisht Klement Çala, i riu nga Elbasani, i cili njihej si miku i Admir Muratit. Ndaj tij, Gjykata vendosi dënimin me 20 vite burg në bashkim të një sërë dënimesh. Ndërkohë që për 6 të tjerët, Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, GJKKO ka dhënë nga 17 vite burg për secilin.

Të shtatë anëtarët e grupit të grabitësve do të kryejnë dënimet në burg të sigurisë së lartë. SPAK-u kishte kërkuar 24 vite burg për Klement Çalën dhe nga 19 vite burg për 7 të pandehurit e tjerë, Eldi Çala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli, Talo Çela dhe Alkond Bengasi. Gjykimi për Talo Çelën vijon të jetë i ndarë, pasi ai është ende në arrati. Ndërsa, për Admir Muratajn, i cili është cilësuar edhe si “koka” e këtij grupi kriminal janë pushuar hetimet, për shkak se ai ka ndërruar jetë.

Anëtarë e grupit kriminal planifikuan vjedhjen me armë të shumave monetare, shumë kohë para se të realizohej duke siguruar dhe përshtatur automjetin me të cilin kanë realizuar vjedhjen, automjetet e tjera me të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes, kanë siguruar mjetet e nevojshme për hapjen e dyerve të emergjencës së perimetrit të aeroportit, kanë siguruar armët luftarake, kanë studiuar lëvizjet e mjeteve monetare në brendësi të aeroportit duke e planifikuar me detaje kryerjen e vjedhjes.

GRABITJA

Ishte data 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, u tha se mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.

Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë arrestuar më 19 mars, vetëm 1 vit pas grabitjes spektakolare të aeroportit të Rinasit. Për kapjen e Klement Çalës, Policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente e troje. Ata qëndrojnë të mbyllur prej pesë muajsh në “41 biss”, ndërsa në muajin gusht të këtij vitit Prokuroria i dorëzoi dy vëllezërit si të pandehur në gjykatën e kryeqytetit, si të akuzuar për futjen e sendeve të ndaluara, telefona celularë.

“MIQËSIA” DHE MISTERI

Ajo që doli pas gjetjes së trupi të pajetë të Admir Muaratajt, disa kilometra larg vendit ku u morën miliona euro, çoi grupin e hetimit të kthente vëmendjen drejt miqve të njohur të viktimës. Në fakt policia bëri me dije se i ndoqi autorët e grabitjes dhe bëri shkëmbim zjarri me ta duke pretenduar se Murataj u ekzekutua konkretisht nga ai shkëmbim zjarri, por familjarët hodhën akuza kundër tyre për shkak se ata pretenduan se njeriu i tyre nuk ka qenë në atë grabitje.

Por, duke qenë se Murataj u konsiderua si personi që kishte përvojë në grabitje të tilla të organizuara, policia nisi të gjurmonte Klement Çalën, një të ri nga Elbasani, i cili njihej si njeri i afërt i Muratajt për shkak të arratisjes së bujshme të kryer vite më parë në një burg të sigurisë së lartë në Greqi. Dhe në fakt Klementi u kap bashkë me të vëllanë, në një ambient me qira që kishin marrë në Golem dhe ku policia tha se iu kishte gjendur edhe një shumë parash, që pretendohej se ishin nga milionat e eurove të grabitura në Rinas.

Për grabitjen, Prokuroria mundi të siguronte dëshminë e njërit prej të arrestuarve, i cili në fakt nuk u favorizua në masën e dënimit që u dha për të, duke e lënë në të njëjtën masë si gjithë pjesën tjetër të grupit. Alkond Bengasi pranoi të rrëfente për grabitjen dhe personat e përfshirë, ndërkohë që pjesa tjetër e grupit nuk ka pranuar asnjëherë të kenë marrë pjesë në grabitje. Në fakt, me ato para janë të lidhura, sipas prokurorisë një mori vrasjesh me disa viktima dhe madje konsiderohet edhe si shkaku që çoi në armiqësi të fortë Talo Çelën me Nuredin Dumanin, hasmëri që i mori jetën shumë kujt në harkun kohor të më pak se një viti. @Panorama.al