Operatorët turistikë të bregdetit të Durrësit dhe Golemit janë të vetmit që nuk po ankohen për ecurinë e aktivitetet këtë sezon. Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, thotë se nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, bregdeti i Durrësit dhe Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues në njësitë akomoduese në krahasim me vitin e kaluar.
“Si kapacitet i shfrytëzimit të hoteleve dhe plazheve, përveç Durrësit dhe Golemit të tjerët janë më keq se vitin e kaluar”, tha ai për “Monitor”.
Ai thotë se bregdeti Durrës-Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%. Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%. Bregdeti i Sarandës është mbi 70%; Bregdeti i Vlorës 75-80% Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%. Dobët rezulton dhe Shëngjini këtë vit, ku Kasa thotë se zënia e kapaciteteve është 70- 75%.
Modeli i ri i zhvillimit të turizmit në qytetin bregdetar të Durrësit, që në fakt ishte i pari që u godit nga betonizimi masiv, tashmë duket se e ka gjetur rrugën e suksesit. Vitet e fundit, ndërtimi i hoteleve me standard dhe kapacitete, që futën shërbimin të gjitha të përfshira (pas rritjes së kërkesës dhe parablerjeve nga agjencitë e huaja turistike), shndërrimi i pallateve të vijës së parë kryesisht në hotele apo apartamente të menaxhuara, çmimet konkurruese, hapësira bregdetare dhe shëtitorja, kanë sjellë vlerë të shtuar për zonën dhe kanë ndikuar në rritjen e punësimit.
Në kontrast, qeveria nuk ka arritur të mbështesë këtë zhvillim as me ndërtimin e një infrastrukturë minimale, që ende pas shumë vitesh nuk ka përfunduar. Deri në qershor, të dhënat e fundit të disponueshme të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve të huaj ishin 16% më shumë për 6-mujorin se e njëjta periudhë e 2019-s dhe 40% më shumë vetëm në qershor.