Detaje të reja kanë dalë në pah, lidhur me ngjarjen e djeshme në ambientet e Kryeministrisë ku një i ri është përplasur fizikisht me një prej punonjësve të gardës.
Duke iu referuar burimeve nga policia raporton për BalkanWeb se 32-vjeçari Aurel Latifi ka tentuar të hyjë me dhunë në ambientet e Kryeministrisë.
Ai fillimisht i është drejtuar kabinës së parë, që ndodhet në perimetrin e Kryeministrisë, duke e goditur oficerin e Gardës së Republikës, që ndodhej aty.
Ngjarja nuk ka eskaluar më tepër, pasi menjëherë kanë ndërhyrë kolegët e rojës së Kryeministrisë, të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e Latifit.
Më pas në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit Nr.1 në kryeqytet, që kanë bërë arrestimin e 32-vjeçarit.
Mësohet gjithashtu se i pandehuri do të merret në pyetje nga oficeri gjyqësor i çështjes dhe më pas do të realizohet edhe një ekzaminim mjekësor i tij, për të kuptuar nëse vuan nga probleme të shëndetit mendor.