Gjykata Kushtetuese ka marrë sot dy vendime të njëpasnjëshme për dy kërkesa të deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me mandatin e deputetes së PS-së, Olta Xhaçka.
Gjyqtarët kanë rrëzuar një kërkesë të PD e cila kërkonte heqjen e menjëhershme e mandatit të deputetes, për shkak të papajtueshmërisë me Kushtetutën.
“Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin e Kushtetutës”, thuhet në vendimin e parë të Kushtetutës.
Teksa ka marrë këtë vendim, Kushtetuesja ndërkohë ka pranuar një kërkesë të grupit të Alibeajt dhe ka detyruar Kuvendin që të shprehet me votim për mandatin e Xhaçkës, pasi komisioni i mandateve nuk e hodhi në votë çështjen e ministres së jashtme.
“Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses për kërkesën e grupit të Alibeajt.
Sipas këtij vendimi, Kuvendi ka detyrimin që të marrë në shqyrtim kërkesën e deputetëve për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës dhe të votojë pro ose kundër tij dhe të argumentojë vendimin. Më pas do të jetë Kushtetuesja e cila do ta shqyrtojë ligjshmërinë e këtij vendimi.
VENDIMI 1
Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve. Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI
1. Pranimin e kërkesës.
2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.
3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.