Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 11 korrik, ora 10:00, seancën për informacion dy mujor të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
Burime bëjnë me dije se shkak i shtyrjes ishte mosmarrja e njoftimit për seancën nga Berisha dhe Malltezi.
Kujtojmë që më 18 qershor gjyqtarja Ilirjana Olldashi rrëzoi kërkesën Sali Berishës e Jamarbër Malltezit për ndryshim të masës së sigurisë, duke i lënë sërish në arrest shtëpie.
SPAK kërkon që Berisha të qëndrojë nën masën e sigurimit arrest në shtëpi, ndërkohë që avokatët kërkojnë ndryshim mase.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzohet për korrupsion pasiv si pjesë e një hetimi gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj e ka cilësuar të qëllimtë shtyrjen e seancës gjyqësore për ish-kryeministrin Berisha sot në GJKKO.
Në një dalje për mediat, Gjokutaj tha se ky proces po zvarritet qëllimisht.
“Nuk është bërë njoftimi i shtetasve Sali Berisha dhe Malltezi. Materiali ka ardhur në gjykatë ditën e premte në 15. Sot gjykata nuk kishte marrë dijeni nëse janë njoftuar apo jo palët. Kjo është taktikë e SPAK dhe GJKKO. Kjo bëhet për të zgjatur afatet, për mos t’u bërë në afatet e duhura për të zvarritur procesi. Afatet ata i kanë 6 mujor, dhe mund të marrin zgjatje. Nuk e dimë, por seanca pasardhëse është regjistruar në 11 korrik. Nuk ishim vënë në dijeni më parë, pasi këta veprojnë si kokë autonome dhe veprojnë kur të duan, sipas direktivës. Ne kemi kërkuar ndryshim të masës dhe do të kërkojmë. Nëse do të bëni një analizë të thjeshtë,m ne që kërkojmë zëvendësimin e masës për arsye shëndetësore, por mungon çështja në thelb. Këta nëse e zgjasin apo jo afatin, një çështje që nuk ka një fabul, nuk ka asnjë sens që të zgjatet çështja, por duhet të pushohet. Është marrë një vendim për kryerjen e ekspertimit, tani të presim, të shikojmë.”, tha ai./Tpz