Origjina e koncesioneve Lekaj-Fier dhe Thumanë-Kashar lidhet me një projekt që dikur ishte parashikuar si një i vetëm.
Ky është tenderi i shpallur në Korrik të vitit 2020 nga ministria e Infrastrukturës dhe vlera e parashikuar e projektit ishte 1.18 miliardë euro. Interes shfaqi një kompani greke e quajtur “Terna”. Pas disa muajash, në fund të vitit 2020 ministrja Belinda Balluku njoftoi anulimin e tenderit, pa dhënë detaje rreth ofertës së grekëve. Nuk dihet cilat ishin motivet që e shtynë ministren drejt këtij vendimi, por ajo që duket sot është rritja e faturës për taksapaguesit shqiptarë disa-fish.
Por, çfarë ndodhi më pas. Projekti u copëzua në 5 seksione. Lekaj – Fier dhe Thumanë – Kashar janë dy koncesione të ndryshme që shkojnë mbi 2.6 miliardë euro, pra, sa dyfishi i projektit fillestar që parashikonte ndërtimin e të gjithë aksit nga Miloti në Fier.
Këtu nuk duhet të harrojmë se 3 seksione të tjerë mbeten ende të paparashikuar, konkretisht Milot-Thumanë, Kashar-Pezë dhe Pezë-Lekaj . Kjo do të thotë se vlera e Milot – Fier, nga 1.18 miliardë që ishte parashikuar, mund të shkojë mbi 4 miliard me copëzimin dhe ndarjen e tortës së parave.