“Gëzimin dhe pikëllimin e popullit shqiptar e shohim si tonin”/ Erdogan flet nga Turqia për rindërtimin në Laç: Ne u mobilizuam dhe…

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ishte në një lidhje direkte në ceremoninë e nisjes së punimeve për rindërtimin e banesave në Laç, të cilat u dëmtuan nga tërmeti.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Erdogan tha se Shqipëria është miku më i afërt i Turqisë në Ballkan, duke u shprehur se çdo gëzim apo hidhërim i popullit shqiptar është edhe i tyre.

“Të nderuar vëllezërit e mi të çmuar, ju përshëndesë me ndjenjat më të përzemërta. Me rastin e kësaj ceremonia ndje një kënaqësi që jam me ju. Nëpërmjet jush përshëndes të gjithë Shqipërinë dhe vëllezërit shqiptarë.

Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne e shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin si pikëllimin tonë. 

Pas tërmeteve që ndodhën në Shqipëri mobilizuam mundësitë tona. Pas tërmetit, ne kemi dërguar 4 maune me ndihma humanitare. Pas katastrofës së tërmetit në nëntor ne vendosëm për të ndërtuar shtëpi për vëllezërit tanë shqiptarë.

Pavarësisht pandemisë nënshkruam protokollin e memorandum dhe sot po zhvillojmë ceremoninë për hedhjen themeleve”,u shpreh ndër të tjera Erdogan.

Erdogan tha se projekti kushton 42 mln euro.

“Shpresoj që ky projekt që do të kushtojë 42 mln euro shpresoj të jetë i dobishëm. Do të shërbejnë si shenjë e re e miqësisë Shqipëri – Turqi.

Shpresojmë që  fazën e parë ta përfundojmë sa më shpejt dhe t’ia dorëzojmë sa më parë vëllezërve tanë që kanë humbur banesat”.