Gazetarit të News 24 i ikën vëllai në emigracion, Osman Stafa: Nuk i thoja dot mos ik!

Nga: Osman Stafa

NUK I THOSHA DOT MOS IK!

Në mes shumë ikjeve nga Shqipëria të shokëve, miqve, kushurinjve, në 8 vitet të fundit, para pak ditësh iku edhe im vëlla. Mori vizë austriake. Iku për të ushtruar atje profesionin e kuzhinierit. Ikje që të mërzit kur mendon se sa vite do kalojnë dhe t’i s’do të kesh afër pjestarë të familjes. Por sa ka si vëllai im? Ne mjaftohemi vetëm që të dashurit tanë të jenë mirë, të kenë shëndet, edhe pse larg, shumë larg nesh dhe ky është çmimi që po paguajmë të gjithë. Një çmim që dhemb!

Unë jam ndër ata njerëz që nuk e mendoj ikjen nga Shqipëria. Dua të bëj betejën për këtë vend, me aq sa unë mundem. Por tim vëllau, Ervinit, nuk i thosha dot mos ik. Në fakt më parë, bëja diskutime me ata që donin të iknin, duke dhënë argumenta për të mos ikur. Por sot, unë shoh realitetin. Dhe unë s’mundem të gënjej dhe të jem i pavërtetë.
Në Shqipëri është bërë shumëfish e vështirë të ndërtosh jetën.

Është e vërtetë që e vetmja mundësi për të marrë një rrogë të mirë, është Tirana. Kjo në raport me qytetet nga vijmë. Por kjo rrogë që marrim në Tiranë, e humbet vlerën kur jeton në kryeqytet.
Sepse sot, me rrogën që merr, s’mund të mbash një makinë, s’mund të blesh një makinë, s’merr dot një kredi për të blerë një shtëpi me çmimet e frikshme që kanë arritur. Po ashtu, sfidat e tjera janë qiraja, dritat, uji, ushqimet, veshmbathjet, shpenzimet e tjera ditore (kafe, ujë, ndonjë vakt ushqim).
Pastaj të mos flasim për shëndetësinë, sigurinë publike, meritokracinë, sigurinë ushqimore etj.

Dhe a nuk mjafton dëshmia e ikjes së mijëra të rinjve, për të kuptuar realitetin ku jemi? Çfarë provash duam më?

Shumëkush, kur shkruaj për shpopullimin më thotë që ti nxin çdo gjë. Më besoni që për dikë që s’do të ikë nga Shqipëria këto fjalë janë shumë të vështira, por ky është realiteti. Nëse themi të kundërtën, thjesht gënjejmë veten dhe problemi thellohet edhe më shumë. Kjo është një krizë e fortë, që po i ndodh vendit tonë dhe përveç identifikimit të problemeve kërkon zgjidhje. Dhe zgjidhja vjen nga të rinjtë që kanë mbetur këtu, dhe prindërit e atyre që kanë ikur. Si? Duke reaguar fort, që qeverive pasardhëse t’u jepet një shembull i mirë, se çfarë ndodh kur kalojnë vijën e kuqe. Dhe kjo duhet të ndodhë në këtë vend. Ndryshe, shpopullimi s’do të ndalet. Dhe kemi për të ikur të gjithë. Sepse nëse dikujt i ikin të afërmit, fëmijët, motra, vëllai, babai, nëna, çfarë do të bëj i vetëm këtu?
Prandaj, kjo situatë do të zgjidhet kur të bëhemi të vetëdijshëm se çfarë po ndodh. Duke mos u kapur pas partive, duke mos u justifikuar çfarë po ndodh, me një vend pune. Sepse të gjitha këto po na i nxjerrin prej hundësh.