Nga Gjergji Thanasi
E nderuar Madam Ambasadore Juri Kim unë, që po ju shkruaj jam Gjergji Thanasi. Në zgjedhjet e 25 prillit unë kandidova në Qarkun Durrës për Koalicionin ABEOK. Po jua dërgoj këtë letër të hapur, sepse besoj se ju mund të ma zgjidhni një halli të madh timin, tashmë që ju premtuat se do të punoni me kryeministrin Edvin Rama, pasi e uruat atë për fitoren e zgjedhjeve pa mbaruar ende numërimi i votave.
Madam Ambasadore në këto zgjedhje mua mu numëruan vetëm 3 (tre) vota të fituara në Qarkun Durrës. Dy prej tyre në QV numër 1452/2, ku kam votuar edhe unë me bashkëshorten time. Gojët e liga po thonë, që në këtë qendër votimi kanë votuar edhe dy vajzat e mija me numër votuesi perkatësisht 481 dhe 482.
Madam Ambasadore Kim, unë nuk e kam problem që dy vajzat e mija nuk kanë votuar alternativën e Koalicionit ABEOK të kryesuar nga z. Kujtim Gjuzi, madje nuk kanë votuar as për mua, babain e tyre. Unë si baba i tyre kam problem që vajzat e mija duke qenë studente jashtë shtetit përkatësisht në Itali dhe Gjermani, pa u rregjistruar në sistemin TIMS Card paskan kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri (nga mali, apo klandestine me ndonjë peshkarexhë ose anije mallrash) vetëm e vetëm, që të mos më votojnë mua. Ju lutem shumë më ndihmoni Madam Ambasadore, sepse unë kurrsesi nuk dyshoj, që rilindasit e kryeministrit Edvin të bëjnë një vjedhje votash kaq të trashë, duke votuar vajzat e mija që nga Gjermani e Italia! Me siguri ky votim i vajzave të mija pa qenë fare në Shqipëri do ketë cfarëdolloj shpjegimi tjetër, por jo ama vjedhje votash nga rilindasit në pushtet.
Madam Ambasadore unë kam edhe një hall tjetër, që besoj se ju mund të ma zgjidhni. Përvec dy votave (times dhe të sime shoqe) unë kam marrë edhe një votë të tretë. Këtë votën e tretë unë nuk e kam marrë në qendrën e votimit nr. 1468, ku ka votuar kunati im me numër votuesi (numri rendor në listë) 363, apo ku ka votuar edhe vjerra ime me numër rendor në listë 647. Këtë votë unë e kam marrë në një tjetër qendër votimi. Në këtë situatë nuk më mbetet gjë tjetër vecse të bëj sherr me vjerrën dhe me kunatin tim pse nuk më kanë votuar mua, ndonëse kanë marrë pjesë në votim!
Madam ambasadore Kim ju lutem shumë, me qëllim që të shmangni një sherr tim të mundshëm me vjerrën dhe kunatin, më gjeni në cilën qendër votimi, unë kam marrë votën e tretë dhe të fundit, që më ka shënuar Rama rregjimi. Unë besoj se ju kaq nder mund të ma bëni lehtësisht, pasi e përgëzuat kryeministrin Edvin për fitoren në këto zgjedhje. Po ashtu, pasi e lexova me kujdes Konventën e Vienës të prillit 1961, krijova bindjen e plotë se ju pa violuar imunitetin dhe privilegjet, që ju akordon kjo konventë me ndihmën e rilindasve të kryeministrit Edvin mund të më gjeni edhe emrin dhe adresën e votuesit të trëtë e të fundit, që ka votuar për mua në të gjithë Qarkun e Durrësit. Ju lutem shumë ma gjeni emrin e votuesit se për kënaqësi time dua ta qeras me një drekë me bazë peshku dhe prodhimesh deti të shoqëruar me verë të bardhë italiane të Markës “Barone Ricasoli”, ku për desert do të ketë Whiskey “J & B Old Reserve” dhe hurma Arabie të Markës “Mazafati” prodhuar andej nga Tabrizi i Iranit!
Madam Ambasadore Kim, ju kam rixha ma bëni këtë nder. Nëse ju do ma bëni këtë nder, unë do shkoj në Kishën e Shën Astit në Durrës, do ndez një qiri tani për Pashkë dhe do lutem që Departamenti i Shtetit tu japë grandën e lartë “ambasador” para se të përfundoni shërbimin në Shqipëri. Unë kam shumë shpresë se Zoti lart në qiell ka aq fuqi sa të ndikojë në “Foggy Bottoms” atje poshtë në Uashington, që juve tu akordohet më në fund grada diplomatike “ambasador”.
Madam Ambasadore Kim ju kërkoj që edhe për arsye humanitare ju të ma gjeni emrin e personit të tretë, që më votoi mua. Mbrëmë për shembull thuajse gjithë natën nuk fjeta dot, sepse pata ankthe (nightmare) duke parë në ëndërr foto dhe skena të xhiruara gjatë Operacionit “Silver Wake” dhe Operacionit “Libelle”. Ju lutem shumë më ndihmoni, që mua të më kthehet përsëri gjumi pa ëndërra të tmerrshme e pa makthe! Ju lutem ma gjeni personin e tretë, që votoi për mua në gjithë Qarkune e Durrësit, ku unë kam lindur e jetuar për 55 vite rrjesht.
Duke ju falenderuar paraprakisht
Ju siguroj për respektin dhe konsideratën time më të lartë për Ju