Gazetari Lorenc Rabeta foli mbi të dhënat e Bankës së Shqipërisë, ku ndonëse është forcuar leku, janë rritur depozitat në euro.
Sipas Rabetës kemi një rritje të depozitave në euro nga bizneset, nxitur edhe nga frika e sekuestrimeve që po bën SPAK lidhur me paranë e zezë.
Sa i takon zhvlerësimit të euros, Rabeta thotë se përfituesi më i madh është qeveria, ku borxhi i jashtëm ka rënë tanimë në 45, 5 për qind, dhe PBB-ja do të vijojë rritjen artificiale. Megjithatë ai vë në dukje se duhet një debat gjithëpërfshirës mbi të mirat dhe të këqijat, duke vënë në dukje se eksportuesit por edhe konsumatorët dëmtohen.
“Borxhi i jashtëm ka rënë në mënyrë drastike nga 49 për qind, në 45, 5 për qind. Borxhi është vazhdimisht në rritje, por i matur me PBB-në ai rezulton shumë i ulët. Rezulton shumë i ulët për shkak të kursit të këmbimit. Vërtet na vijnë shumë flukse eurosh nga turizmi, por na janë tkurrur jashtëzakonisht eksportet. Rënia e eksporteve në vlerë, sjell edhe tkurrjen e prodhimit, të punësimit. Duhet debat gjithëpërfshirës, sa janë të mirat dhe të këqijat. Përfituesi më i madh është qeveria, që po e paguan shumë më lirë borxhin e jashtëm, që është 45, 5 për qind, dhe po përfiton nga çmimet e rritura, duke marrë më shumë të ardhura në buxhet, dhe duke e rritur artificialisht PBB-në. Humbësit jemi ne konsumatorët.
Çdo rritje çmimi nga jashtë na shkarkohet neve. Për fat të mirë kur nisi rënien e fortë euro, pati një frikë se qytetarët do gjendeshin përballë dilemës, a t’i mbajmë paratë në euro, apo t’i kthejmë në lekë. Por duke qenë se e kemi kaq të euroizuar ekonominë kam përshtypje se shqiptarët s’do vihen kaq në vështirësi nga kjo rënie drastike e euros, dhe nuk do tërheqin në banka. Duke parë nivelet shumë të larta të eurove që kanë hyrë në tregun shqiptar, është prishur raporti euro/lekë në tregun shqiptarë. Kemi një ofertë kaq të fortë të euros, do të thotë që ajo është nën presion për nënçmim, dhe po nënçmohet dhe s’ka asnjë tregues që këto euro do pakësohen, s’ka asnjë tregues që këto euro do përthithen nga sistemi bankar.
Kemi rritje të depozitave në euro të biznesit. Kemi edhe një zë nga shoqëria civile, dhe zërat autoritarë të ekonomisë, që thonë që frika nga SPAK po i detyron bizneset që t’i fusin në bankë, që të mos i kenë në të zezë. Sekuestrimet kanë ngritur frikën te subjektet se mund të gjenden gafil. Kjo përpjekje po rrit flukset e depozitave. Kemi një rritje të depozitave në euro në rreth 16 për qind. Nuk do të kemi një integrim të shpejtë me euron sepse kemi shumë para të paqarta në qarkullim”, tha ai në “MCN”.