Gazeta e madhe gjermane: Shqipëria, probleme me korrupsionin, drejtësinë e lirinë e shtypit

Një nga gazetat më të mëdha në Gjermani, Die Welt, ka publikuar një shkrim të gjatë për Shqipërinë. Aty theksohet se vendi ka probleme të thella me korrupsionin, drejtësinë dhe lirinë e shtypit. Shkrimi hapet me një pyetje se se me gjithë këto probleme a është gati Shqipëria për në BE. Për negociatat thuhet se u hapën më shumë për shkak të situatës gjeostrategjike të krijuar nga lufta në Ukrainë.

“Lufta e Ukrainës në dyert e Evropës u ka dhënë aleancave perëndimore një moment rilindjeje. Ekziston një konsensus se Perëndimi duhet të afrohet më shumë që të përballet me agresorin rus, Vladimir Putin. Jo më pak për shkak të kësaj, Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE në qershor. Ballkani Perëndimor është gjithashtu i rëndësishëm strategjikisht për BE-në, pasi ata formojnë urën tokësore mes krahut juglindor të NATO-s dhe Evropës Qendrore. Megjithatë, po e bëhet e qartë se, pavarësisht nga momenti aktual, ka ende një sërë sfidash që qëndrojnë në rrugën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e dukshme në Shqipëri”, thuhet në artikull.

ARTIKULLI I PLOTË:

Probleme me korrupsionin, drejtësinë dhe lirinë e shtypit – a është gati për BE-në?

Nga Mandoline Rutkowski, Die Welt

Krerët e qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kapën dorën e Ursula von der Leyen duke e shtrënguar fort. Thuajse sikur kishin frikë se presidentja e Komisionit Evropian mund të ndryshonte mendje dhe të shkëputej nga shtrëngimi i duarve. Dhe kështu edhe nga një premtim që Bashkimi Evropian ua kishte bërë më parë shtetarëve Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.

Skena u filmua më 19 korrik. Ditën kur nisën zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e dy vendeve në BE. Me këtë njoftim, dy shtetet tani janë zyrtarisht në ballë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e zgjerimit të BE-së.

Fotot e unitetit vinin në Bruksel në kohën e duhur. Sepse lufta e Ukrainës në dyert e Evropës u ka dhënë aleancave perëndimore një moment rilindjeje. Ekziston një konsensus se Perëndimi duhet të afrohet më shumë që të përballet me agresorin rus, Vladimir Putin. Jo më pak për shkak të kësaj, Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE në qershor.

Ballkani Perëndimor është gjithashtu i rëndësishëm strategjikisht për BE-në, pasi ata formojnë urën tokësore mes krahut juglindor të NATO-s dhe Evropës Qendrore. Megjithatë, po e bëhet e qartë se, pavarësisht nga momenti aktual, ka ende një sërë sfidash që qëndrojnë në rrugën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e dukshme në Shqipëri.

Shqipëria festoi momentin historik pas gati tre dekadash. Në vitin 2003, Tirana paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim. Në ditët pas shpalljes, një flamur i stërmadh i BE-së zbukuroi ndërtesën e qeverisë në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë.

Afiniteti me BE-në është shumë i lartë në vendin me 2.8 milionë banorë. Sipas Barometrit Publik Ballkanin, 89% e shqiptarëve e vlerësojnë anëtarësimin në BE si pozitiv. Në bisedat me vendasit, afërsia me BE është e sigurt. Dyqanet evropiane mbulojnë peizazhin e qytetit në Tiranë, kurse euro është të paktën jozyrtarisht monedha e dytë kombëtare.

Me distancë nga Kina

Marrëdhënia e Tiranës me BE-në është e ngushtë. Prej vitesh, vendi, i cili u çlirua nga komunizmi në vitin 1991 dhe iu përkushtua vlerave perëndimore dhe demokratike, është përpjekur të shkojë në të njëjtën linjë me Brukselin në politikën e jashtme.

Në luftën e Ukrainës, Tirana mbështeti pa kushte sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Në ndryshim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Tirana po përmbahet edhe ndaj investimeve nga Kina, me të cilat Pekini kërkon të forcojë ndikimin e tij në rajon.

Vitet e fundit, një reformë në drejtësi dhe futja e të ashtuquajturës Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit – SPAK si prokurori speciale e pavarur, ka çuar përpara përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

“Ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit” – tha Christiane Hohmann, ambasadorja e delegacionit të BE-së në Shqipëri. Ajo na mirëpret në zyrën e saj me një pamje panoramike të kryeqytetit për një intervistë. “Por puna jonë është larg përfundimit, ka ende një detyrë gjigante përpara”.

Në fakt, korrupsioni është një plagë në Shqipëri, e cila është shumë e vështirë për t’u shëruar. Vendi renditet i 110-ti nga 180 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të ‘Transparency International’. Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencës/Open Data Albania, e di se sa serioz është problemi.

“Korrupsioni është një problem i jashtëzakonshëm në Shqipëri” – thotë ekspertja e analizës së të dhënave me fokus transparencën, kontrollin dhe anti-korrupsionin. “Nuk është i pranishëm vetëm në rangjet e larta, por edhe në jetën e përditshme të çdo qytetari. Qoftë te vizita te mjeku apo te zgjedhja e shkollës fillore”.

Shqipëria nuk është në gjendje të ushtrojë kontroll gjyqësor, kushtetues dhe parlamentar mbi qeverinë, thotë Brahaj. Pra, de facto, kryeministri Rama e ka dorën e lirë.

Lista e skandaleve rreth Ramës e vërteton këtë deklaratë. Kreu i Partisë Socialiste, i cili bëri dikur fushatë për luftën kundër korrupsionit, akuzohet për lidhje me mafian.

Skandalet po shumohen edhe në orbitën e tij të pushtetit. Së fundmi, politikani i PS-së, Alqi Bllako u arrestua në fund të muajit prill pasi thuhet se është i përfshirë në një skandal korrupsioni prej 430 milionë eurosh. Opozita e akuzon Ramën si organizatorin e aktiviteteve kriminale.

Në fakt, qeveria ka bërë përpjekje për të vënën nën kontroll korrupsionin në vend. Në vitin 2016, me nxitjen e BE-së, ajo miratoi një reformë gjyqësore që përfshinte rishikim intensiv të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për sa i përket kompetencave profesionale, pasurisë dhe integritetit.

Sipas të dhënave të “Raportit për Shqipërinë 2021”, të Komisionit të BE-së, 62% e procedurave të rishikimit kanë përfunduar me largim nga detyra ose shkarkim. Reforma u vlerësua pozitivisht në Bruksel dhe ambasadorja e BE-së, Hohman gjithashtu e quajti procedurën e vetingut një ‘masë të suksesshme’, e cila nuk është parë kurrë më parë në rajon.

Por ekspertja e korrupsionit, Brahaj nuk është dakord. Kontrollet ishin ‘me qëllime të mira, por të planifikuara keq’. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk kishin staf të plotë për vite me radhë dhe de facto nuk ishin në gjendje të vepronin. Një gjyqësor me të meta ka lejuar qeverinë të miratojë ‘ligje të korruptuara’.

Shumë prapa kur bëhet fjalë për lirinë e shtypit

Një fushë që Brukseli po e shqyrton nga afër për ecurinë e procesit të anëtarësimit në BE, dhe që shqetëson ambasadoren e BE-së, Hohmann, është liria e shtypit në vend: “Kuptimi i shtypit si korrigjues ka nevojë për zhvillim në Shqipëri”. Vendi renditet nga Reporterët pa Kufij i 103-ti nga 180 vende.

Mediat transmetuese janë kryesisht në duart e disa sipërmarrësve të pasur me lidhje politike. Kryeministri Rama bëri bujë së fundmi pasi kërcënoi gazetarët me ‘riedukim’ pas pyetjeve kritike dhe i përjashtoi nga konferencat për shtyp. “Ne presim që të gjithë politikanët t’i trajtojnë gazetarët me respekt,” thotë Hohmann.

Vendi kandidat ka ende shumë për të bërë përpara se Shqipëria të anëtarësohet në aleancën evropiane. Për Sokol Dedjan, kreun e çështjeve politike në Ministrinë e Jashtme, përpjekje nuk kërkohen vetëm nga Tirana. “Në funksion të luftës në Evropë dhe dhënies së statutit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, BE-ja tani duhet të tregojë më shumë besueshmëri se premtimet e bëra për vendet kandidate se zgjerimi i BE-së është proces serioz”.

Me fjalë të tjera, BE-ja duhet t’i dëshmojë Rusisë se uniteti i vendeve evropiane shkon përtej terminologjisë, edhe në shenjë frenimi. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prioritet për t’u bashkuar me aleancën sepse janë ‘më të avancuara në përgatitje’.

Nga ana tjetër, ambasadorja e BE-së, Hohmann thekson se lufta në Ukrainë nuk sjell si pasojë zgjerimin automatik të BE-së. “Çdo vend do të vazhdojë të konsiderohet individualisht. Argumenti gjeostrategjik nuk duhet të fshehë faktin se vendet natyrisht duhet të plotësojnë edhe kërkesat e tyre për të hyrë në BE”. Sipas Hohmann, Tirana tani duhet të provojë se besimi i vendeve anëtare është i justifikuar. “Shqipëria tani po përballet me një maratonë”. lapsi.al