Gara presidenciale në SHBA ende shumë e ngushtë, betejë në disa shtete deri në votën e fundit!


SHBA- Ende nuk ka një fitues të qartë të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe votat vijojnë të numërohen me ankth për të dy kandidatët.

Rezultati është shumë i ngushtë dhe beteja po zhvillohet në disa shtete kyç si Pensilvania dhe Nevada.

Joe Biden deri tani është projektuar si fitues i 253 votave elektorale, ndërsa Donald Trump ka 213. Kandidati që do të sigurojë 270 vota, do të shpallet fitues.

Gara më e rëndësishme po zhvillohet në Pennsylvania, një shtet i cili i jep fituesit plot 20 vota elektorale.

Për momentin Trump udhëheq në këtë shtet, por përparësia e tij është reduktuar ndjeshëm, nga 600 mijë vota avantazh që kishte ndaj Biden, në këto momente ai ka vetëm 164 mijë vota më shumë. Nëse Biden do të arrijë ta kalojë dhe të fitojë shtetin e Pensilvanisë, ai do të jetë Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve.

Për presidentin Trump, rruga drejt fitores është më e komplikuar. Ai duhet të fitojë në Pennsylvania, Arizona, Georgia dhe North Carolina, për të marrë një mandat të dytë. Megjithatë, kjo nuk është e pamundur sepse gara në këto shtete, aktualisht është shumë e ngushtë.

Nga fushata e Trump ka patur aludime të shumta për parregullsi në procesin e numërimit dhe janë paralajmëruar beteja ligjore. Ata kanë konfirmuar se do të kërkojnë rinumërim të votave në Wisconsin, një shtet që Biden e fitoi vetëm me 20 mijë vota.

Presidenti Trump, e shpalli fitoren e tij në mënyrë të parakohshme, duke mos i lënë kohë përfundimit të votimit. Ai gjithashtu ka ngritur akuza, për mashtrim elektoral, por deri në këto momente nuk ka prova që të sugjerojnë një gjë të tillë dhe mediat amerikane e kanë klasifikuar deklaratën e presidentit, si të gënjeshtërt.
Twitter gjithashtu i bllokoi disa nga publikimet e presidentit, duke konsideruar se ato përmbajnë informacion të pasaktë./Tpz