Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është “blinduar” nga forca të shumta policie dhe barriera mbrojtëse metalike.
Kjo pas ardhjes në Tiranë të kryeministrave të Bashkimit Europian në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, por edhe pas paralajmërimit për protestë nga ana e opozitës po në atë vend.
Ndërkohë që zyrtarë të qeverisë thonë se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është në perimetrin e sigurisë së lartë, nga ana tjetër opozita këmbëngul që do ta zhvillojë protestën pikërisht atje, duke e konsideruar një të drejtë tërësisht legjitime.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme një pjesë e madhe e kryeqytetit është “zgjuar” nën masa të rrepta sigurie.
Shumë prej rrugëve kanë qenë të bllokuara për automjetet dhe efektivë policie shihen gjithandej.
Rreth orës 09:30 pritet që liderët e Bashkimit Europian të mbërrijnë në Tiranë dhe më pas pritet të nisë edhe Samiti.