Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në veri të Italisë, ku një 49-vjeçar nga Shqipëria është gjetur pa jetë, me fyt të prerë.
Aineo Redo 49-vjeç me profesion avokat dhe pa precedentë të mëparshëm penal, është gjetur nga një kalimtar i rastit i cili ka njoftuar më pas policinë. Ai u gjet me fyt të prerë dhe një thikë në dorë. Viktima ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.
Mediat italiane raportojnë se ai kishte shkuar në Itali nga Shqipëria shumë vite më parë, dhe ishte diplomuar atje për drejtësi dhe punonte si ortak në një studio të rëndësishme ligjore, e cila ndodhet disa dhjetëra metra larg galerisë BNL.
I pasionuar pas sportit, ai luante në ekipin e avokatëve të Reggio-s. Sipas hetuesve të cilët po shohin pamjet e kamerave të sigurisë, Redo kishte mbërritur në zyrë me biçikletë dhe më pas ishte larguar në këmbë. Në errësirën e tunelit, në Reggio Emilia, ai dyshohet se ka vrarë veten me thikën që iu gjet ende në dorën e shtrënguar grusht.
Por vetëm raporti mjekoligjor dhe këqyrja e kamerave të sigurisë në afërsi të zonës ku ndodhi ngjarja mund të hedhin dritë mbi këtë dyshim.